Rama refuzon ftesën, Mediu mbetet besnik
Partia Socialiste "bojkotoi" edhe kuvendin e Partisë Demokratike. Ndonëse ftesës së kryetarit të PD-së, njëkohësisht Kryeministrit Berisha për pjesëmarrjen e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në kuvend, nga selia rozë nuk erdhi asnjë përgjigje për këtë ftesë dhe për pasojë asnjë socialist, ose përfaqësues i opozitës nuk u pa në sallën e Pallatit të Kongreseve. Por ata që nuk mund të mungonin në punimet e kongresit të djeshëm, ishin aleatët e PD-së në qeverisje. Kështu, në sallë dje spikaste kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Po kështu, Lëvizja Socialiste për Integrim kishte zgjedhur të përfaqësohej nga sekretari i përgjithshëm, njëkohësisht ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ajo që ra në sy për sa i përket pjesëmarrjes së përfaqësuesve të partive të tjera, ishte ajo e kryetarit të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Ndonëse kjo parti e përbërë me dy deputetë ende nuk është vendosur në njërin nga dy krahët kryesorë të politikës, duket që gjasat më të mëdha janë për t‘u drejtuar drejt qeverisjes aktuale.