E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli; Kuvendi, fond të veçantë për trajtimin e autizmit



Parlamenti do të angazhohet konkretisht, duke bërë të mundur që në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashikohet një fond i veçantë për studimin dhe trajtimin e autizmit. Sipas kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, është e domosdoshme një politikë kombëtare e luftës ndaj autizmit. Znj. Topalli mori pjesë dje në punimet e konferencës së dytë ndërkombëtare "Autizmi: Nga shkaqet te trajtimi", organizuar nga Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë nën drejtimin e znj. Liri Berisha. Duke garantuar të gjithë mbështetjen e saj personale dhe të Kuvendit të Shqipërisë për këtë çështje sensitive, jo vetëm për fëmijën dhe familjen, por për të gjithë shoqërinë, kryetarja Topalli premtoi se Kuvendi do të bëjë të mundur që në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashikohet një fond i veçantë për studimin dhe trajtimin e autizmit. "Në emër të Kuvendit të Shqipërisë angazhohem që në buxhetin e vitit të ardhshëm, së bashku me deputetë të tjerë, ne do të vendosim një fond të veçantë jo vetëm për të menduar se çfarë do të bëjmë në kërkimet dhe shërbimet tona për këtë sëmundje, por dhe t'u japim asistencë nënave që t'i qëndrojnë afër dhe të kujtohen më shpejt për ta kapur këtë sëmundje, sepse ata fëmijë kanë një botë të tyre, të cilën ne duhet ta kuptojmë dhe detyra jonë dhe e shkencës kryesisht është që të thyejmë dhe të rrëzojmë murin e moskomunikimit", - theksoi znj. Topalli. Në këtë konferencë të rëndësishme, me pjesëmarrjen e ekspertëve të mirënjohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë në fushën e autizmit, kryetarja e Kuvendit përgëzoi organizatorët për qendrën e ngritur në ndihmë të fëmijëve me autizëm, por edhe për sensibilizimin në trajtimin e saj.

Qendër e veçantë për fëmijët me autizëm

Fëmijët me autizëm tashmë kanë mundësi të trajtohen pranë qendrës “Fluturo për jetën”, i themeluar nga Fondacioni Fëmijët Shqiptarë.

Ky fondacion, i cili ka trajtuar deri tani rreth 160 fëmijë me paaftësi të spektrit autik, e bëri të ditur ekzistencën e kësaj qendre të veçantë gjatë Konferencës së II Ndërkombëtare për Autizmin me temë nga “Nga shkaqet tek trajtimet”, ku ishin të pranishëm më shumë se 150 specialistë të fushave të mjekësisë.

Duke theksuar faktin që përhapja e çrregullimeve autike po rritet ndjeshëm mes fëmijëve, drejtuesja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, znj. Liri Berisha, u shpreh se fondacioni “Fluturo për Jetën”, me 11 ekspertë të fushave të ndryshme, ka marrë përsipër të luajë rolin e një lloj katalizatori për të shpejtuar veprimet në ndihmë të fëmijëve me autizëm, pasi sa më shpejt të realizohen ndërhyrjet mjekësore, aq më të mira do të jenë rezultatet tek fëmijët e këtyre moshave.

“Në Shqipëri mungojnë instrumentet e vlerësimit dhe diagnostikimit psikologjik për çrregullimet autike dhe për këtë ka nisur procesi i adaptimit të tyre”, - tha znj. Berisha, duke siguruar se qendra do të realizojë shumë shpejt të parin studim prevalence për të vlerësuar përmasat e këtij problemi.

Ajo tha se shumë shpejt do të botohet edhe një libër i veçantë për prindërit, në mënyrë që ata të njihen me sëmundjen e autizmit. Si pasojë e kësaj sëmundjeje, 14- 20% e fëmijëve paraqesin çrregullime mendore, ku 10% e 75 mijë personave me aftësi të kufizuar janë fëmijë.

Duke i konsideruar shqetësuese këto shifra, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se do të ketë një politikë kombëtare për autizmin, madje për këtë çështje do të vihet në dispozicion edhe një fond i veçantë. “Është mjaft shqetësuese që 1 në 100 fëmijë preket nga kjo sëmundje. Kjo nuk është vetëm një sfidë për fëmijët dhe prindërit. Ne do ta kthejmë luftën ndaj autizmit në një politikë kombëtare”, - u shpreh Topalli, duke siguruar që në buxhetin e ardhshëm do të vendoset një fond i veçantë për këtë sëmundje.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se ka ardhur koha që politikat qeveritare të përkthehen në masa aktive, si ngritja e qendrës “Fluturo për jetën”. “S’kemi kohë për të humbur! Kjo sëmundje është një prioritet i shëndetit publik”, - deklaroi Vasili, duke theksuar: “I kemi të gjitha mundësitë për të krijuar një dokument të veçantë strategjik me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve në fushën e shëndetësisë, punëve sociale, arsimit etj.”.

Ndërsa ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, tha se nismat në këtë drejtim ekzistojnë. “Me ndihmën e qeverisë së Zvicrës në Universitetin e Vlorës, funksionon kryerja e studimeve për pedagogjinë e veçantë. Degë të tilla do të hapen edhe në universitete të tjera. Kjo është ende një sfidë për çdo edukator dhe mësues”, - tha Tafaj, sipas të cilit, tashmë në çdo shkollë po fuqizohet edhe futja e shërbimit psikologjik.

Në historinë mjekësore të autizmit tre janë autorët që kanë luajtur një rol të rëndësishëm: Itard (1801-1806, u kujdes dhe përshkroi në mënyrë shembullore Viktorin, një fëmijë që do të quhej probabilisht autik, vetëm se atëherë ky nocion klinik nuk njihej), Bleuler (propozoi termin e autizmit për të përshkruar një nga simptomat themelore të skizofrenisë) dhe Kanner (i cili në 1943 propozoi termin e autizmit për të përshkruar një sindromë klinike të observuar tek fëmijët autikë).

Punimet e konferencës së djeshme do të vijojnë edhe nesër për t’u mbyllur edhe me një mbrëmje gala bamirësie, të ardhurat e të cilës do të shkojnë për realizmin e projekteve të Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, i themeluar 13 vite më parë.

Ligji antiduhan

Moszbatimi i ligjit, MSH gjobit QSUT-në me 50 mijë lekë

Është vënë sërish në lëvizje Inspektorati Sanitar Shtetëror në kryeqytet për të verifikuar zbatueshmërinë de facto të ligjit antiduhan. Ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” ka bërë që pavijoni i konsultave kirurgjikale pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza” është gjobitur me 50 mijë lekë të reja për arsye se në ambiente mungonin shenjat dalluese që ndalojnë konsumin e duhanit. “Shumë shpejt do të vendosen gjoba dhe masa të rënda ndëshkimore për të gjithë shkelësit e ligjit”, - thotë Alban Ylli, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik. Inspektorët sanitarë në daljet e tyre të para në terren janë përballur me jo pak raste të shkeljes së ligjit. Ndërkohë, shumë klinika dhe lokale janë paralajmëruar se në rast moszbatimi të ligjit do të gjobiten. Ndërsa, kryeinspektori sanitar, Gazmend Bejtja, është shprehur: “Inspektorati Sanitar ka pjesën e vet të përgjegjësisë, por kërkohet bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, që ligji të mirëfunksionojë. Gjithë armata jonë e inspektorëve, duke filluar nga dita e sotme, është në terren”. Në vitin 2007 Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin kundër pirjes së duhanit në vendet publike, por zbatimi i tij është i pjesshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›