Sfida dixhitale e tatimeve
Nisma “Shqipëria në moshën e internetit” po kërkon të bëhet një sfidë reale në një fushë ndoshta nga më të vështirat për t’u zbatuar, në tatime. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka gati një projekt për të realizuar që nga data 1 janar 2010 deklarimin e detyrueshëm tatimor në mënyrë elektronike, online (drejtpërsëdrejti nga interneti). Lind pyetja: Pse është e vështirë fisko shqiptare? Janë shumë faktorë. Në radhë të parë biznesi. Ndryshe nga sa mendësia popullore rëndom na shtyn t’i konsiderojmë sipërmarrësit shqiptarë si injorantë dhe që vështirësisht pranojnë të përdorin mjetet e reja të komunikimit, ata janë shumë të njohur me internetin dhe e përdorin intensivisht atë. Vetë tatimet shprehen se faqja e tyre e internetit www.tatime.gov.al klikohet shumë dendur. Kuptohet që shumica e përdoruesve të faqes janë biznesmenë të interesuar për të shkarkuar deklaratat tatimore. Mirëpo çfarë i rezervon ata të aplikojnë online dhe po kështu t’i paguajnë taksat online, pa humbur orë të tëra sorollatje nëpër zyra tatimore (për të mos përmendur zarfet nën dorë), është frika se mos nëpërmjet internetit tatimet nuk i marrin. Ende një copë letër me vulën e bankës për ta është garancia më e madhe. Mirëpo kjo mënyrë e vjetër me suportin e letrës së shkruar përbën jo vetëm një humbje kohe për biznesin, por edhe mundësi për të përfituar nga tatimori abuziv. Prandaj, dhe projektvendimi për aplikimin online të deklaratave tatimore përbën një goditje vdekjeprurëse ndaj korrupsionit në tatime. Si të thuash, sipërmarrësi nuk i sheh tashmë më as fytyrën tatimorit, e jo t’i duhet ta marrë me të mira, ta miklojë, t’i ofrojë drekëra e darka e pastaj një zarf nën dorë. Përfitimi në kohë i rreth 75 mijë bizneseve të regjistruara është i jashtëzakonshëm. Ai mund të përkthehet edhe në miliona euro fitim në punë për zgjerim aktiviteti të sipërmarrësve, të cilët këtë kohë të shkuar deri tani dëm mund ta investojnë si duhet. Dikush, dhjetë muaj më parë, kur mësoi për nismën e deklarimit të detyrueshëm në internet të të gjitha tenderave të bashkive dhe komunave, mund të ketë qeshur me ironi dhe të jetë shprehur: “Dashka Sala të na bëjë si Suedia e Danimarka!” Tani po ndihen fort të mirat e deklarimeve online. Ulja drastike e veprimeve abuzive në përgatitjen e ofruesve të tenderave publike. Të mira të shumëfishuara do të ketë i gjithë komuniteti i biznesit nga deklarimi online tatimor. Nga ana tjetër, sfida dixhitale e tatimeve është përqendruar edhe tek kasat regjistruese. Është prova e tretë dhe finalja për të vendosur kasat, pas dy dështimeve të viteve 1994-95 dhe 2000-2001. Kësaj here nuk është shteti që shet kasat, por pesë kompani private të autorizuara nga Ministria e Financave. Kjo, për të larguar çdo lloj dyshimi e mosbesimi që mund të kenë bizneset, se mos vallë shteti me kasat i vrojton fshehurazi. Epoka e kasave që funksionojnë, ka nisur të vijë, me projektin pilot të tatimeve për Tiranën. Të gjitha supermerkatot dhe hipermerkatot e zemrës ekonomike të vendit punojnë me kasa. Çfarë do t’i përparojë tatimet shqiptare në krahasim me administratat simotra të rajonit është një sistem transferimi direkt të të dhënave të kasave. Sistemi, i mundësuar nga Vodafone, realizon kalimin automatik të të dhënave të kasave nga bizneset tek serveri qendror i tatimeve çdo dhjetë ditë. Në këtë mënyrë, tatimet do të marrin të dhëna të çmuara për sjelljen konsumatore të shqiptarëve, të dobishme jo vetëm për të vrojtuar kompanitë, por edhe për vendimmarrjen në qeverinë shqiptare. Nga ana tjetër, marrja e kuponit të kasës shënon nisjen e edukimit prej vërteti të konsumatorit shqiptar me kulturën fiskale. Kur shkojmë në supermerkato, si Euromax apo Conad, dhe shitësja na jep striçen e kasës së bashku me mallin, në mënyrë të natyrshme presim ta marrim këtë striçe edhe kur pijmë një kafe në klub apo marrim bukën në dyqanin me pakicë të lagjes. Nuk do të jetë e largët dita kur nuk do të kemi më turp t’i themi shitësit të lagjes të na japë kuponin dhe pikërisht atëherë nis reforma më thelbësore në tatime, që do të sigurojë të ardhura të shumëfishuara për të mirën publike, për rritjen e garantuar të pensioneve dhe pagave të buxhetorëve, si dhe për investime më të forta në shëndetësi e arsimin publik.