E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli Leka Zogu I vend te nderuar ne kujtesen tone kombetare

Sot pasdite, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli zhvilloi një vizitë ngushëllimi në familjen e Leka Zogu I, i cili u nda nga jeta në moshën 72 vjeçare.

Duke i shprehur ngushëllimet Princit Leka dhe familjarëve për ndarjen nga jeta të Leka Zogut I, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi figurën e Leka Zogu I si një atdhetar të mençur dhe me humbjen e Tij, shqiptarët kudo humbën një figurë të rëndësishme të historisë së tyre politike, një figurë që tashmë ka vendin e vet të nderuar në kujtesën tonë kombëtare.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se “ Është një moment, në të cilin ne duhet të rikthehemi dhe të nderojmë historinë tonë, historinë e pjesës së mbretërisë që është një ndër momentet e jashtëzakonshme të përpjekjeve të një lideri sepse Mbreti Zog i ishte një lider i jashtëzakonshëm, që bëri përpjekje dhe i’a arriti që të vendosë bazat e ndërtimit te shtetit shqiptar. e dyta, e shoh në planin politik. Është një moment që në duhet të kërkojmë të falur për të gjitha sulmet dhe urrejtjen që u injektua gjatë 50 viteve të komunizmit ndaj Mbretit Zog dhe ndaj gjithë familjes mbretërore. Shoqëria jonë i’a ka borxh që t'i kërkojë të falur për një sjellje të tillë, të mbushur me mllef dhe urrejtje ndaj kësaj familjeje. Së treti, Leka i Parë u largua nga ky vend kur ishte vetëm 24 orësh dhe ka kërkuar gjithë jetën e vet të kthehej këtu sepse e donte Shqipërinë, sepse ishte i injektuar me patriotizëm. Mendoj se është një moment ngushëllimi për familjaret, që po në këtë shtëpi ku ka lindur Leka I, po këtu ai jep lamtumirën familjes së tij dhe vendit të tij. Unë mendoj se ndoshta të gjithë bashkë në këtë moment duhet të mendojmë se çfarë tjetër duhet të bëjmë për mbretëreshën Geraldinë, që është si një gur i çmuar, që shndërrin në historinë tonë. Unë besoj se duke nderuar këtë pjesë të historisë i bëjmë nder vetes tonë, familjes mbretërore, por dhe kombit shqiptar në tërësi”.

Më pas Kryeparlamentarja Topalli la dhe një shënim në librin e ngushëllimeve të çelur me këtë rast.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›