E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Mbyllim vitin me bilanc pozitiv

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, gjatë analizës së punës të vitit 2011, ka deklaruar se është mbyllur me një bilanc pozitiv, pasi u miratuan edhe  ligjet me shumicë të cilësuar. Për të, kryefjala e këtij viti për Parlamentin ishin reformat.

Kemi bërë punë të rëndësishme. Mbyllim vitin me bilanc pozitiv të miratimit të disa ligjeve me 3/5. Axhenda parlamentare ka patur vetëm një bosht themelor me emrin reforma. Ajo ka qenë në axhendën e punës së çdo deputeti, ka qenë në qendër të programit të punës së Parlamentit. Sot mund të them me krenari se ne po përjetojmë përjetësimin e këtyre reformave, theksoi më tej Topalli.

Ndër të tjera, Topalli gjatë fjalës së saj tha se gjatë këtij viti, qëndrimi i Kuvendit ka qënë i drejtë, i mbështetur në Kushtetutë dhe duke mbrojtur parlamentarizmin.

Nga 17 janar- 22 dhjetor janë miratuar 219 akte, nga të cilat ligje, marrëveshje, rezoluta etj. Debatet për këto projektligje kanë qenë të gjata e të rëndësishme. Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar 38 seanca publike në 155 orë debat parlamentar. Gjatë shqyrtimit të çështjeve në rend dite, deputetët kanë bërë 870 diskutime. Vetëm sesionin e fundit, ministrat i janë përgjigjur 990 pyetjeve të deputetëve. Kemi patur nëntë interpelanca me anëtarë të Këshillit të ministrave dhe Kuvendi me rezoluta ka vlerësuar veprimtarinë vjetore të 16 organeve Kushtetuese, tha Topalli.

E pyetur mbi debatin më të fundit për kreun e shtetit dhe mënyrën e përzgjedhjes së tij vitin e ardhshëm, kryeparlamentarja citoi se respekton institucionin e presidentit dhe ajo që kërkohet prej tij është repektimi i Kushtetutës.

Gjëja më e rëndësishme e vitit të ardhshëm është përvjetori i pavarësisë. Jemi me fat që të jetojmë në këtë 10- vjetor. Sa i takon axhendës së ndryshme unë repektoj institucionin e presidentit deri në një moment të caktuar. Ajo që kërkoj është respektimi i Kushtetutës, shtoi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›