E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli Ne sfidat e sotme ka mjaft rendesi forcimi i raporteve mes shteteve

Raportet mes parlamenteve të dy vendeve, janë në fakt raportet mes qytetarëve të tyre.

Kështu ka pohuar kryeparlamentarja Jozefina Topalli, në kuadrin e takimit me delegacionin e Asamblesë Kombëtare të Pakistanit, kryesuar nga kryetarja Fehmida Mirza.

“Ashtu si edhe Pakistani, edhe Shqipëria ka sfidat e veta.

Bashkë me Mrizën, ne kemi diskutuar sesi është e pakuptimtë që mes dy vendeve tona të mos ketë shkëmbime ekonomike.

Prandaj, do të ndikojmë në mënyrë që të mund të firmosen marrëveshje mes dy palëve tona, për bashkëpunimet ekonomike-tregtare, heqjen e taksave të dyfishta etj, por edhe në fusha të tjera”, shtoi Topalli.

Duke shtuar se bashkë me Fehmida Mirzën, ka diskutuar edhe në lidhje me çështjen e Kosovës.

“Vendet islamike e kanë mbështetur Kosovën në momentet e saj të vështira. Do synohet që Pakistani të shtojë listën e njohjeve të shtetit të pavarur të Kosovës”, tha Topalli lidhur me një fakt të tillë.
Sipas saj, në kohën e sfidave globale, paraqitet i nevojshëm bashkëpunimi mes vendeve tona.

Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Pakistanit, Fehmida Mirza, mbërriti për Tiranë, ku do të qëndrojë për një vizitë zyrtare disa ditore.

Kryeparlamentarja pakistaneze e ndërmori këtë vizitë në Tiranë me ftesë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Kjo vizitë mbart një rëndësi të veçantë pasi të dyja këto kryeparlamentare njihen për kontributin e tyre në arenën e parlamentarizmit në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›