E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Kjo qeveri do ti shnderroje malet ne zonat turistike me terheqese

Kryeministri Berisha mori pjesë paraditen e sotme në inaugurimin e rrugës Fushë Krujë -Krujë-Sarisalltik, e njohur si rruga e Malit të Krujës, e cila të çon në vendin e shenjtë të Sarisalltikut, me gjatësi 9 kilometra, gjerësi 6 deri në 8 metra dhe vlerë investimi 343 milion lekë.

Rruga e Sarisalltëkut, e cila i shtohet rrjetit modern infrastrukturor të vendit, është e njohur për pelegrinazhin e pandërprerë të mijëra besimtarëve e turistëve që vizitojnë këtë vend të shenjtë.

Kjo rrugë turistike është gjithashtu një portë drejt monumenteve të rralla natyrore të zonës.

Gjatë viteve të fundit në rrethin e Krujës janë ndërtuar 121 km rrugë dhe segmente rrugore, 11 ujësjellësa, 13 shkolla, si dhe 21 qendra shëndetësore e ambulanca.

Gjithashtu, janë restauruar Pazari karakteristik, kalldrëmi për në Kështjellën historike, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve.

Pas ceremonisë së inagurimit të rrugës kryeministri Berisha vizitoi teqen në vendin e shenjtë në Sarisalltik ku u kryen edhe ritet fetare.

Më pas kryeministri vizitoi edhe Selinë e Kryegjyshatës simbol i besimtarëve bektashinj, ku u takua me përfaqësuesit e komunitetit bektashian të Krujës, të cilët i uruan kryeministrit edhe ditëlindjen.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, shpreh sot gëzimin e madh, kënaqësinë time që inaugurojmë këtë rrugë, në majën, e cila sjell këtu në ballkonin e Skënderbeut, në majën e malit të Krujës, në vendin e shenjtë të Sarisalltikut , ndaj dhe le t’u dërgojmë ne një përshëndetje vëllazërore të gjithë shqiptarëve nga ballkoni i Skënderbeut, t’i garantoj se vitet në vazhdim kjo qeveri do të bëjë gjithçka që t’i shndërrojë malet në zonat turistike më tërheqëse të vendit, që malet e këtij vendi, nga vende mundimi dhe skamje të shndërrohen në vende dëfrimi dhe mëkëmbje, të bëhen të njohura dhe në mbarë botën.

Kam shumë kënaqësi që kjo rrugë inaugurohet dhe i sjell qytetarët e Krujës, i sjell qytetarët e mbarë Shqipërisë në vendin e shenjtë të Sarisalltikut, shenjtorit që e nisi shekuj më parë Haxhi Bektash Valiu dhe erdhi të prehet këtu, në majën e malit të Krujës, u shndërrua në orën e qytetit, ndihmoi Skënderbeun në të gjitha betejat që fitoi dhe mbeti këtu i pavdekshëm”.

Duke shtuar se shumë shpejt “do të ndërtojmë rrugën tjetër për Qafë-Shtamë, një nga zonat turistike më të bukura të Shqipërisë.

“Kemi përfunduar projektin e rrugës Krujë-Tiranë dhe po i bëjmë retushimet e fundit”, tha ai.

“Kruja ujë 24 orë, në mënyrë që ky qytet i mahnitshëm, i bukur, ky qytet ku rreh zemra e madhe e historisë sonë kombëtare të ketë gjithçka që ka një qytet i standardeve evropiane. Kruja është krenari e kombit, është kryeqytetit i përjetshëm historik i shqiptarëve.

Turistët që vizitojnë Krujën, vizitojnë muzeun e Skënderbeut dhe muzeun e mrekullueshëm etnografik të qytetit tuaj, vizitojnë kështjellën, rrugën e pazarit, shijojnë gatimet, ushqimet dhe prodhimet tuaja.

Që të gjithë kur kthejnë kokën nga maja e malit do të donin të gjendeshin në majën e saj. Ja që tani mund të vijnë me lehtësi në njërën prej rrugëve më të bukura dhe më panoramike të vendit”, iu drejtua ai vendorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›