E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i Gërdecit nuk ishte aksident

Ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari Deklarata në gjyq: Prokuroria nuk ka hetuar vendosjen e zjarrit

Ish-drejtori i kompanisë MEICO, Ylli Pinari, i arrestuar dhe i marrë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, sulmon ashpër prokurorinë, duke pohuar se organi i akuzës nuk ka verifikuar dhe hetuar një informacion që bënte fjalë se shpërthimi në punishten e demontimit të municioneve nuk ka ardhur si pasojë e një aksidenti. Pinari ka qenë dje në kafazin e hekurt të Gjykatës së Tiranës dhe për herë të parë ka folur për tragjedinë duke shfajësuar veten dhe kompaninë që ai drejtonte, por duke akuzuar prokurorinë se nuk ka hetuar siç duhet. Ish-drejtori i MEICO-s është munduar të shpjegojë mënyrën e funksionimit të kompanisë që drejtonte, ndërsa shpesh herë ka ripërsëritur se ka zbatuar vetëm urdhrat e ministrit të Mbrojtjes.

Deklarata

I gjendur për herë të parë përpara trupës gjykuese, Pinari ka lexuar një deklaratë dhe fillimisht u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave, si dhe personave që janë prekur nga kjo tragjedi, ndërsa nënvizoi se ngjarja ka trazuar shumë persona, mes të cilëve njerëz të politikës. Fill pas kësaj, ai ka kundërshtuar akuzat e ngritura nga prokuroria dhe tha se MEICO nuk kishte përgjegjësi në tragjedinë e Gërdecit. “Detyra e MEICO-s ishte shitja e stoqeve ushtarake për demontim dhe jo sesi bëhej ai. Ndaj meje është hedhur baltë dhe dua të bëj me dije se nga ana e MEICO-s nuk ka pasur asnjëherë shkelje të ligjit. Për çdo veprim ne i jemi referuar ligjit dhe urdhrit 550 të nxjerrë nga ministri i Mbrojtjes. Detyra e MEICO-s ishte të shiste municionet ushtarake dhe jo të caktonte vendin ku do të kryhej demontimi apo çmimin e tyre”, tha dje Pinari. Më tej shtoi se MEICO është një ndërmarrje e cila ka një këshill drejtues që emërohet dhe shkarkohet nga ministri, po ashtu dhe drejtori i saj. “Shitja e municioneve ishte prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ne ishim zbatuesit e këtij prioriteti”, vazhdoi ish-drejtori i kompanisë MEICO, duke folur më pas edhe për problemet që kishte hasur procesi i demontimit. “Gjatë procesit të parë, makineritë e fishekëve kanë shkaktuar disa herë vatra zjarri, ndërsa në të dytin nuk ka pasur probleme”, pohoi Pinari në deklaratën 15 faqëshe, duke i kërkuar prokurorisë që të zgjeronte pistën e hetimit. “Prokuroria është fokusuar në provën e saldatriçes. është e drejta e tyre, por duhet të hetojnë të gjitha mundësitë dhe pistat e mundshme, sidomos me atë të vendosjes së zjarrit. Ditën e ngjarjes kam qenë në Gjermani dhe më mori në tel Shpëtim Spahiu dhe më vonë Patrik Henri”, përfundoi Pinari.

Shpërthim, jo aksident

Ajo çka u fokusua në fjalën 20 minutëshe të Ylli Pinarit para gjykatës, ishte se ngjarja e 15 marsit 2008 nuk ishte aksident. Ai ka aluduar se prokuroria nuk ka hetuar të gjitha pistat hetimore. Gazeta “Shqip” kthehet pak në kohë dhe, gjatë një seance gjyqësore për këtë ngjarje, dy avokatët e tij kanë deklaruar se prokuroria nuk ka verifikuar dhe hetuar një informacion që bënte fjalë se shpërthimi në punishten e demontimit të municioneve në Gërdec ka ardhur si pasojë e minave me sahat. Avokatët e Pinarit thanë se prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hetim në lidhje me këtë dokument, i cili është servirur nga ministri i Brendshëm. Ata deklaruan se prokuroria duhet ta merrte në konsideratë këtë dokument, i bërë publik edhe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe të merrte në pyetje personat që përmendeshin. “Prokuroria nuk e ka verifikuar këtë informacion që i është servirur ministrit të Brendshëm. Ky informacion bënte fjalë se disa persona kanë vendosur në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec mina me sahat dhe janë larguar në disa drejtime. Njëri prej personave që përmendeshin në këtë informacion ka qenë vëllai i Nehat Kullës, tjetri, një person me emrin Avni Dema, ndërsa personi i tretë quhej Tani nga Berati. Këta persona, pasi kanë vendosur bombat me sahat, janë larguar në tri drejtime të ndryshme”, deklaroi në atë kohë avokati i Pinarit.

Letra për minat me sahat

Letra anonime për dy mina me sahat në Gërdec ka shkuar në adresën e ministrit Bujar Nishani, që në datë 25 mars të vitit 2008. Në letër janë deklaruar edhe dy emra personash të dyshuar, por asnjëherë nuk është vërtetuar nëse këto informacione ishin të vërteta. Sipas informacioneve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, një letër anonime ka shkuar në adresën e ish-ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili menjëherë ka njoftuar ish-kreun e policisë, Ahmet Prençi. Ky i fundit ka marrë letrën dhe grupi hetimor ka përpiluar një informacion duke e dërguar në prokurori. Në letër citohet se mëngjesin e datës 15.03.2008, në fabrikën e Gërdecit, në mesin e predhave janë vendosur dy mina me sahat. “Personat që kanë dijeni për minat e tragjedisë janë disa shtetas me inicialet E. K. dhe A. K., përkatësisht vëllai dhe djali i shtetasit Nehat Kulla”, thuhet në letrën anonime, ku përmenden emrat e plotë të personave. Më tej citohet se “...pasi vunë minat, E. K. ka marrë rrugën drejt Elbasanit, ndërsa A. K. drejt Shkodrës...”. Veç këtyre pjesëve, në letër përmenden edhe detaje të tjera hetimore. Policia menjëherë përgatiti një shkresë dhe e dërgoi në prokurori. Pikërisht me shkresën me numër protokolli 2244, datë 25 mars 2008, policia kërkon në prokurori se megjithëse informacioni është anonim dhe i pakonfirmuar, të verifikohen numrat e telefonave dhe materialet e këtyre dy shtetasve për datat 14 dhe 15 mars 2008, si edhe zonat ku ata kanë folur e me cilët numra kanë komunikuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›