Libor Rouçek: Klasa politike në Shqipëri të bashkëpunojë për integrimin
Eurodeputeti: Nëse vullneti i klasës politike ekziston, tre ligjet mund të votohen
Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, eurodeputeti Libor Roucek shprehet se Brukseli pret që bashkëpunimi midis dy forcave kryesore në Shqipëri të vazhdojë në të mirë të vendit dhe për të mundësuar marrjen e statusit të vendit kandidat. Ky mesazhi i drejtohet liderit të opozitës dhe mazhorancës. Sipas tij, nëse ka vullnet të mirë, plotësimi i tre kushteve të mbetura arrihet para dhjetorit.
Cili është konkluzioni pas takimit me ministren Bregu? A e mbështesin të gjitha grupimet politike në Parlament statusin e vendit kandidat për Shqipërinë?
Në Parlamentin Evropian ne e mbështesim statusin e kandidatit për Shqipërinë. Ne do të votojmë rezolutën për Shqipërinë në 22 nëntor në komisionin e punëve të jashtme dhe sërish në seancën plenare në javën e parë të dhjetorit. Në takimin që patëm me ministren Bregu, ministrja na njohu me ecurinë e procesit të integrimit, duke u ndalur kuptohet te nevoja e plotësimit të tre kushteve që mbeten.
Mendoni, se Shqipëria ka shanse për të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor apo do të na duhet të presim për vitin tjetër?
Për këtë nuk vendos Parlamenti, pasi varet nga raporti i Komisionit Evropian dhe vendimi i shteteve anëtare. Por ndërkohë, ne presim vazhdimin e bashkëpunimit midis dy forcave kryesore politike në Shqipëri për integrimin evropian. Pasi është pikërisht bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës, që bëri të mundur muajt e fundit progresin e arritur në Shqipëri. Duhet që ky bashkëpunim të vazhdojë. Ky është mesazhi ynë për ministren dhe ky është mesazhi ynë dhe për liderin e opozitës. Vazhdoni bashkëpunimin, pasi është i rëndësishëm për vendin dhe është i rëndësishëm për politikën e zgjerimit, në mënyrë që Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat”.
A ju duket e mjaftueshme si kohë plotësimi i tre kushteve të mbetura para dhjetorit?
Nëse ka një vullnet të mirë, kjo mund të realizohet, ashtu siç u realizua për avokatin e popullit, reformën elektorale, heqjen e imunitetit. Pra, edhe pse mbeten pak javë, nëse ekziston vullneti, marrja e statusit të vendit kandidat arrihet.
...