Topalli-Pescante: Urojmë që opozita të votojë ligjet e integrimit

Kryetarja e Kuvendit priti sot në takim Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane në Dhomën e Deputeteve të Italisë, zotin Mario Pescante.
“Jam shumë i kënaqur, tha zoti Pescante që ve re se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha e të vendosur përpara drejt BE-së.”
Duke evidentuar faktin se Shqipëria është një komb me kulturë e civilizim europian të lashtë, zoti Pescante shprehu mbështetjen e Italisë në antarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Italisë si përkrahësja dhe avokatja kryesore në rrugëtimin europian të vendit.
Duke u ndalur në çështjen e statusit të vendit kandidat, Kryetarja e Kuvendit tha se urojmë që opozota të votojë ligjet e integrimit, që të vijojmë kështu me hapjen e negociatave për të përmbushur një detyrim që i kemi shqiptarëve, bashkimin me familjen europiane, të cilës i përkasim.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi si shumë të rëndësishëm faktin që Italia do të marrë në vitin 2014, presidencën e radhës së BE-së, duke shprehur bindjen se kjo do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Në takim u evidentua roli i rëndësishëm i diplomacisë parlamentare, veçanërisht në momente kyçe të lidhura me hyrjen e Shqipërisë në NATO, apo në procesin e liberalizimit të vizave.
Zonja Jozefina Topalli dhe zoti Pescante diskutuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar, jo vetëm mes dy vendeve, por edhe në nivel të strukturave të BE-së.