Topalli: Shqipëria do vazhdojë të jetë vend tërheqës për investimet e huaja
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit të Turqisë, Ibrahim Azahin dhe Presidentin e Çalik Holding, Ahmet Çalik
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit të Turqisë, z. Ibrahim Azahin së bashku me Presidentin e Çalik Holding, z. Ahmet Çalik.
Zoti Azahin, President i Unionit të Televizioneve të Europës Juglindore, tha se Turqia do të mbështesë Shqipërinë në projektet e saj të dixhitalizimit. Konkretisht, në bashkëpunim me Televizionin Publik Shqiptar do të realizohet dixhitalizimi i arkivës filmike, si pjesë shumë e rëndësishme e arkivës shtetërore.
Nga ana e tij, Presidenti i Çalik Holding nënvizoi faktin se tregu shqiptar në vitet e fundit ka qenë një nga tregjet me ecuri shumë positive. Kompania e tij ka investime shumë serioze në Shqipëri, duke zënë 20 përqind të sektorit bankar si dhe kompani të telefonisë fikse e celulare.
“Ky shekull tha zoti Calik urojmë të jetë shekulli i ekonomisë shqiptare, duke parë faktin se ekonomia e Shqipërisë, pavarësisht krizës globale financiare shënoi rritje pozitive”.
Kryetarja e Kuvendit, duke falenderuar për bashkëpunimin e investitorëve të rëndësishem të Turqisë në Shqipëri tha se vendi ynë do të vijojë të ketë një klimë shumë të favorshme për investimet dhe të lehtësojë gjithnjë e më shumë procedurat për zhvillimin e biznesit. “Biznesi është punësim, tha ajo, dhe reformat tona do të vijojnë të kenë në fokus, biznesin, punësimin dhe mirëqenien e qytetarit”.