Topalli: Shqipëria, si një Maldive ekzotike
Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, ka pritur gjatë ditës së sotme disa të rinj nga Europa, para të cilëve ka mbajtur edhe një fjalim. Duke folur, pasi ka thënë se për Shqipërinë integrimi është objektivi kryesor, Topalli ka ftuar të rinjtë europianë që të vizitojnë Shqipërinë, pasi sipas saj vendi ynë është një Maldive ekzotike.
Kur të projektoni pushimet tuaja mos harroni se në Shqipëri do të gjeni atë çka ju dëshironi. Nuk do të keni nevojë të shkoni në Maldive në kërkim të plazheve ekzotike, atë do e gjeni në bregdetin e mrekullueshëm shqiptar.
Nuk do të keni nevojë të shkoni në kërkim të maleve përqark Evropës, ato do ti gjeni vetëm disa kilometra në veri të Tiranës. Dhe këtë mund ta bëni vetë me një klik nga kompjuteri juaj. Këtu, ju do të ndiheni të rrethuar nga ngrohtësia dhe mikpritja shqiptare, ka thënë gjatë fjalës së saj Topalli, duke vijuar kështu me traditën e kryeministrit Berisha, që një ditë e quan Shqipërinë Zvicër, pastaj Norvegji, Kaliforni e kështu me radhë.
Duke ju drejtuar të gjithë të rinjve në sallë, Topalli dha dhe një mesazh:
Rinia është stina e shpresës. Rinia është ajo pjesë e jetës ku lindin idealet, ëndrrat dhe projektet e mëdha. Rinia është koha kur merren vendimet kryesore për pjesën tjetër të jetës.
Çdo orë e humbur gjatë rinisë është një shans më pak të ardhmen. Të rinjtë ndihen të lumtur sepse kanë aftësinë të shohin kudo të bukurën në jetën e tyre. Energjitë dhe forcat që ju mbartni janë shumë më të mëdha nga ato që mendoni.
Përpiquni ti përdorni ato në interesin tuaj më të mirë. Përpiquni ti përdorni në interesin më të mirë të shoqërisë.
Përpiquni ti përdorni në interesin më të mirë të vendeve tuaja. Përpiquni ti përdorni këto energji dhe forca që ju keni në forcimin e Evropës dhe mbarë botës. Dëshirat, ambiciet, vullneti juaj i pashtershëm, ëndrrat tuaja na frymëzojnë akoma më shumë për ti kthyer ato në realitet.
Patetike, apo jo!?