E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Sigurimin e kam pasur ne kurriz

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kerkoi dje crrenjosjen nga jeta publike te cdo ish bashkepunetori te sigurimit te shtetit. Duke replikuar me kreun e PS-se, Edi Rama qe nje dite me pare i sugjeroi te hape dhe dosjen e saj, Topalli tha dje se ligji duhet te miratohet pa asnje klauzole lehtesuese. "Pershendes ndryshimin e qendrimit te shprehur nga zoti Rama dhe shpresoj shume te jete keshtu dhe te mos jete demagogji, por kjo sigurisht do te provohet ne sallen e Parlamentit", tha Topalli. Sipas saj, ligji per hapjen e dosjeve, duhet te jete nje ligj me tolerance zero ndaj cdo oficeri dhe spiuni te Sigurimit te Shtetit, pa klauzola lehtesuese. Pra nje ligj me nje nen, po te ishte per te. "Pa c'rrenjosur nga jeta publike rrjetin e "gestapos" shqiptare, ky vend nuk ka te ardhme ne Evrope, dhe kete po jua them si nje njeri qe sigurimin e shtetit dhe spiunet e tij i kam pasur ne kurriz, jo qe nga dita kur kam lindur, por 20 vjet para se te lindja, qe ne 1944-ren", reagoi krye Parlamentarja. Ajo u shpreh e gatshme qe hetimi te nise nga ajo po te kerkohet, e te vijoje me te gjithe zyrtaret e larte dhe kreret e forcave politike. Topalli mbrojti fort idene qe edhe politikanet qe jane verifikuar 2 apo 3 here edhe nga PS edhe nga PD, te ri verifikohen. Ide kjo e kritikuar ashper nga Partia Socialiste, qe deklaron se ata qe jane verifikuar nje here te mos preken me nga ligji i ri. "Duke votuar dhe firmosur kete ligj si deputete dhe Kryetare e Kuvendit, do te jete nje dite kur do te jem krenare se po i bej nje sherbim te madh vendit tim per t'u ndare njehere e mire nga e kaluara qe ka qene nga me te egrat", u shpreh ajo. R.R


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›