Topalli dhe Bode mbeten pa zyrë në selinë e re të PD-së
Asnjë nga drejtuesit aktualë të PD-së nuk i kanë të sigurta zyrat në selinë e re të kësaj partie.
Burimet brenda selisë blu saktësojnë për Shqiptarja.com se të përjashtuarit e mëdhenj nga pasja e një zyre në selinë e re të PD janë kryetarja në ikje e Kuvendit, njëherësh nënkryetare e PD-së Jozefina Topalli, ministri në ikje i Financave dhe Sekretar i Përgjithshëm i PD Ridvan Bode, sekretarët e tjerë të PD, përjashtuar Sekretarin e Organizimit Flamur Noka që po merret posaçërisht me sistemimin e zyrave të partisë në pritje të fillimit të sesionit të ri parlamentar, që për herë të parë pas tetë vitesh e gjen PD në opozitë.
Zyrat e drejtuesve të lartë të PD, nënkryetarëve dhe sekretarëve por dhe zyrat e tjera janë në ristrukturim të plotë. Por dhe pas ristrukturimit, do jenë në dispozicion të sekretarëve dhe nënkryetarëve e zyrtarëve të tjerë vetëm atëherë kur të zgjidhen nga Kuvendi apo Këshilli Kombëtar. Praktikisht sot janë pa mandat nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli, e cila ka tetë vite që është zgjedhur nënkryetare dhe nuk është rizgjedhur para katër vitesh, duke vijuar në këtë post pa mandat. Po kështu dhe Ridvan Bode dhe sekretarët e tjerë, përjashtuar nënkryetarin Astrit Patozi, i cili e ka dhënë vetë dorëheqjen nga postet, nënvizon burimi brenda PD.
Sipas tij, përjashtuar kryetarin e dorëhequr, Sali Berisha, dhe deri diku dhe nënkryetari Astrit Patozi si dhe gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar, të gjithë drejtuesit e tjerë, përfshirë dhe gjithë anëtarët e kryesisë së PD, janë pa mandat pasi kanë tejkaluar të gjitha afatet statutore për tu rizgjedhur./A.XH