E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azem Hajdari do zhvarroset nga Sharra dhe do prehet tek Dëshmorët e Kombit

Azem-HajdariNë 15-vjetorin e vrasjes së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, më datën 12 shtator eshtrat e tij do prehen nga Sharra tek Varrezat e Dëshmorëve.

Me iniciativën e Bashkisë së Tiranës, një komision i posaçëm do të merret me zhvendosjen e tij nga varrezat e Sharrës drejt varrezave të Dëshmorëve të Kombit.

Familja e Azemit e ka mirëpritur këtë vendim duke i bërë të gjitha nderimet që i takojnë një dëshmori të atdheut.

Kiri Hajdari, djali i madh i Azemit, thotë se familja e tij e vlerëson maksimalisht vendosjen e eshtrave të Azemit tek Dëshmorët e Kombit.

Kiri e sheh këtë si një përkujdesje të shtetit ndaj një njeriu si Azem Hajdari, që u vu në krye të lëvizjes studentore dhe solli pluralizmin politik në Shqipëri.

Djali i Azemit falënderon kreun e Bashkisë, Lulzim Basha për iniciativën e marrë dhe beson se gjithçka po bëhet e mundur për vlerësimin e figurës së të atit.

Bashkia e Tiranës po përgatit dhe po organizon gjithçka për të nderuar tim atë, veçanërisht Z.Basha, vëmendja e të cilit ka qenë tejet e çmuar, për familjen tonë kjo bashki është treguar shumë sensitive ndaj ndjenjave demokratike, ndaj gjithçkaje që përfaqësonte babai im. Dhe mesazhit të jetës së babait tim, me rolin e tij të jashtëzakonshëm në vendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Do të doja të shtoja se Z.Basha është një vazhdim i natyrshëm i këtij mesazhi. Është në vendin e duhur, në vendin që ka nevojë Shqipëria, ashtu si babai im në atë kohë, shprehet ai për GSH-në.

Lidhur me shndërrimin e monumentit të Azemit pranë selisë së PD-së ku u vra natën e 12 shtatorit të 1998, nga lapidar në një mauzoleum, Kiri shprehet: Për figura si im atë nuk ka kërkesa familjare, ato janë shoqërore ose politike.

Sipas protokollit shtetëror, eshtrat e Azem Hajdarit do të vendosen në një nga ndërtesat publike (Pallatin e Kongreseve ose Muzeun Historik Kombëtar), ku do të kryhen homazhet nga familjarët, miqtë dhe qytetarët e thjeshtë. Pranë eshtrave të tij do të krijohet një vend i posaçëm për familjarët dhe në hyrje do të vendoset libri i ngushëllimeve, portreti i Hajdarit dhe flamuri kombëtar.

Lëvizja e kortezhit bëhet në orën 10:00. Arkivoli i vendosur në shtrat topi, i mbuluar me flamur kombëtar, niset nga vendndodhja, i shoqëruar nga gjashtë truproja nderi, tri në çdo anë. Përpara kortezhit ecën truproja e nderit e Gardës së Republikës dhe truprojat me jastëkët e kuq të dekoratave. Pas tyre vendoset banda, që ekzekuton marshe funebër. Familjarët dhe personalitetet ecin pas shtratit të topit. Kortezhi mbyllet nga populli i thjeshtë, detajohet në protokollin shtetëror. Të enjten e ardhshme, kortezhi do të ecë në këmbë deri te ura e Lanës dhe më pas do të drejtohet nga Varrezat e Dëshmorëve. Ulja e arkivolit në varr do të shoqërohet me të shtënat e nderit nga skuadra e përbërë nga 5-7 ushtarë dhe që komandohet nga një oficer.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›