E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Çështja e kutive, si të vendosë Komisioni i Venecias

Kryeparlamentarja përshëndet deklaratën e Asamblesë së Këshillit të Evropës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka përshëndetur deklaratën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me situatën politike në Shqipëri. Sipas saj, KiE këshillon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare. Kryeparlamentarja mbështet edhe idenë për zgjidhjen e çështjes së kutive, duke iu drejtuar Komisionit të Venecias. Ajo pohoi dje se e mbështet këtë alternativë si një mundësi për ti dhënë fund kësaj çështjeje. Kryeparlamentarja ftoi opozitën që la lexojë si duhet apelin e ndërkombëtarëve dhe të bëhet pjesë e aspiratës shekullore të shqiptarëve për tu integruar në BE.

Deklarata

Përshëndes deklaratën e Byrosë së Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe falënderoj Presidentin e kësaj asambleje, zotin Cavusoglu, si edhe të gjithë kryetarët e grupeve, kryetarin e Grupit të Majtës së Gjelbër, kryetarin e Grupit Socialist, kryetarin e Grupit të Liberalëve dhe kryetarin e Grupit të EPP-së, - tha dje Topalli lidhur me qëndrimin e shprehur dy ditë më parë nga KiE. Topalli pohoi se kjo deklaratë vjen pas rezolutës së Këshillit të Evropës, vizitës së Komitetit Presidencial dhe deklaratave të tyre këtu në Shqipëri dhe të gjitha këto, brenda tre muajve. Është një deklaratë që është në të mirën e Shqipërisë, që kërkon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare, në komisionet parlamentare, në seancat parlamentare, në punën e ligjbërësit, në funksionin e tyre të kontrollit parlamentar dhe në të gjitha detyrimet që jep mandati i tyre në shërbim të popullit, - tha Topalli, ndërsa vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet mes Parlamentit shqiptar dhe Këshillit të Evropës. Për sa i përket mënyrës së zgjidhjes së ofruar nga KiE për kutitë që përbëjnë dhe çështjen kryesore të protestave të opozitës, Topalli tha se mbështet sugjerimin që zgjidhja të jetë nga Komisioni i Venecias. Ka një qëndrim koherent konsistent të Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të gjithë kryetarëve të grupeve, të cilët i dhanë si një mundësi tjetër koncesioni zotit Edi Rama, duke i thënë se nëse ke kontestime në interpretimin e ligjit, rruga shkon përmes Gjykatës Kushtetuese dhe nga Gjykata Kushtetuese i kërkohet mendim Komisionit të Venecias. Ne kemi mbështetur tërësisht këtë propozim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës edhe sot jam këtu për të thënë që mbështesim tërësisht deklaratën e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, - tha ajo. Topalli shtoi: Jemi plotësisht në mbështetje edhe të këtij sugjerimi që vjen si një mundësi tjetër qoftë edhe duke iu drejtuar institucioneve të tjera kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese, Komisioni i Venecias, qoftë duke iu drejtuar prokurorisë, të gjitha këto institucione të japin mundësi që të shkosh edhe në hapjen e kutive. Topalli uroi që edhe opozita ta lexojë deklaratën e Këshillit të Evropës me sinqeritetin e duhur, siç u shpreh ajo, thirrje kjo që është në të mirë të shqiptarëve, të Shqipërisë, të proceseve demokratike, të procesit të liberalizimit të vizave dhe të proceseve të tjera të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Jemi në një moment sfidash, Shqipëria është në pritje të vendimeve të mëdha që kanë lidhje me ngjarje të jashtëzakonshme dhe me aspiratën shumëshekullore të vendit tonë. Është rasti që partia më e madhe opozitare ti përgjigjet kësaj aspirate të kombit shqiptar, të votuesve të tyre dhe të prirjes për të cilën 96 për qind e shqiptarëve e kërkojnë, e duan, e kanë qëllim, e kanë objektiv dhe do tia arrijmë, - përfundoi Topalli. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›