Berisha: Zgjedhja e gjykatësve, nuk do bëhet pas kuintave
Kryeministri: Të lëmë inatet, transparencë sipas Kushtetutës
Kryeministri Sali Berisha i shtrin opozitës dorën e bashkëpunimit me besimin se ekzistojnë hapësirat ligjore për zgjidhjen e situatës politike në vend. Në këtë mënyrë, z. Berisha ftoi dje PS-në që të bëhet pjesë e transparencës së 28 qershorit, duke ndjekur rrugën kushtetuese. Kreu i qeverisë bëri dje të ditur se mazhoranca është e gatshme për transparencë të plotë të zgjedhjeve, por kjo duhet të bëhet në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. "Ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore, në qoftë se ndahemi nga inatet për të zgjidhur dhe për të bërë një transparencë të plotë të zgjedhjeve, - theksoi z. Berisha. Duke iu referuar edhe raportit të Byrosë së Asamblesë Parlamentare të KiE-së, z. Berisha e konsideroi atë si një raport koherent me deklaratën e Komitetit Presidencial gjatë vizitës në Tiranë. Ai konfirmoi se mazhoranca shqiptare është plotësisht dakord me sugjerimet dhe rekomandimet e bëra nga APKiE. Për këtë Berisha sugjeroi: Opozita duhet tu drejtohet institucioneve, Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias për pretendimet që ka. Sipas tij, ekzistojnë hapësirat ligjore për zgjidhjen e situatës politike në vend. Për sa u përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, Kryeministri Sali Berisha theksoi se pret që Presidenti Topi të paraqesë dekretimin e kandidatëve, pasi është atribut i tij dhe më pas Parlamenti do t'i shqyrtojë duke përdorur një procedurë sa më transparente. Sipas tij, emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese kanë mbetur në dorën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe se politika shqiptare pret që ato të paraqiten sa më parë në Parlament, ku do të realizohet edhe shqyrtimi i tyre. Presim që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të paraqesë dekretimin e kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi është atribut i tij. Më pas, Parlamenti do t'i shqyrtojë ato duke përdorur një procedurë sa më transparente. Kjo është mënyra më transparente dhe më e mirë e zgjidhjes. Nëse Presidenti ka të drejtën e përzgjedhjes, se ia ka dhënë Kushtetuta, Parlamenti ka të drejtën e pëlqimit larg mënyrave vesh më vesh dhe pas kuintave, - u shpreh z. Berisha. Po dje, Kryeministri i vendit siguroi se qeveria do të financojë sistemet e dixhitalizimit të librave, në mënyrë që fondi i të gjithë librave që disponohen nga Biblioteka Kombëtare, të bëhet i disponueshëm në mënyrë elektronike. Një premtim të tillë Kryeministri Berisha e bëri gjatë ceremonisë së përkujtimit në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të 100-vjetorit të shtëpisë botuese Ismail Malosmani. Jam i nderuar që ndodhem këtu në 100-vjetorin e shtëpisë botuese më të madhe të të gjitha kohërave, Ismail Malosmanit, - bëri me dije kreu i qeverisë. Në përfundim Berisha dha një këshillë, që Biblioteka Kombëtare të ruajë librat e vjetër, pasi është fakt, që ajo ka një fond shumë të pasur librash të botuar në të gjitha kohërat.