E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet papunësia, shqiptarët gjejnë punë me miqësi dhe me njoftime gazetash

Anketa e INSTAT: Niveli i papunësisë 14.5 %, më shumë femra të punësuara se burra

 puneNumri i të papunëve në vendin tonë është rritur në 14.5 % nga 13.4 % që ishte në vitin 2012. Të dhënat janë publikuar nga anketa e forcave të punës për vitin 2013 të ndërmarrë nga INSTAT, dhe i referohen popullsisë nga 15 deri në 64 vjeç. Në sajë të intervistave të kryera në familjet shqiptare anketa ka nxjerrë në pah se shumica e të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në shtyp etj.

Papunësia

Sipas INSTAT gjatë tremujorit të parë 2013 në Shqipëri 63.2 për qind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune. Shkalla e papunësisë për meshkujt është më e lartë sesa për femrat duke shënuar kështu një diferencë mesatare prej 12 për qind. Konkretisht: 15.8 për qind është niveli i papunësisë për burrat dhe 12.9 për qind për gratë. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ishte 55.3 për qind ndërsa për meshkujt 71.8 për qind. Krahasuar me tremujorin e katërt 2012, pjesëmarrja e femrave në tregun e punës është rritur me afro 1 për qind ndërsa pjesëmarrja e meshkujve është ulur me 1.2 për qind.

Të rinjtë

Sa i përket të rinjve papunësia vijon të jetë e lartë edhe pse shumica e tyre janë të kualifikuar. Referuar anketës në tremujorin e parë 2013 shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ishte 41.2 për qind ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç ky tregues ishte 75.3 për qind. Për popullsinë në moshë pune (15-64 vjeç) vihet re një rënie në shkallën e punësimit nga 58.8

Për qind në tremujorin e parë 2012 në 54 për qind në tremujorin e parë 2013. Kjo rënie erdhi kryesisht si rezultat i rënies në sektorin e ndërtimit. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç gjatë tremujorit të parë 2013 shkalla e punësimit ishte 31 për qind ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç ky tregues ishte 66.8 për qind, thuhet në anketë.

Statusi në punësim

Sa i përket strukturës së punësimit sipas statusit në punësim, në tremujorin e parë 2013 të punësuarit me pagë përbënin 38.4 për qind të të punësuarve. Krahasuar me tremujorin e parë 2012 numri i të punësuarve me pagë u rrit me 0.5 për qind, ndërsa nga tremujori i katërt 2012 u shënua një rritje prej 1.6 për qind. Përqindja e të punësuarve me pagë meshkuj, në tremujorin e parë 2013 ishte 41.8 ndërsa të punësuarat me pagë femra përbënin 34.5 për qind të të punësuarave. Ndërsa vihet re që meshkujt e vetëpunësuar pa të punësuar kundrejt një page përbënin 30.8 për qind të totalit të të punësuarve meshkuj dhe punëtorët pa pagesë të familjes 25 për qind. E kundërta ndodh në punësimin e femrave, ku 47 për qind e të punësuarave femra janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes dhe

17 për qind e tyre janë të vetëpunësuar pa të punësuar kundrejt një page.

Sektorët e punësimit

Sipas të dhënave të ATFP-së, në tremujorin e parë 2013 rreth 35 për qind e personave të punësuar (të punësuar me pagë dhe të vetëpunësuar) punuan në sektorin e shërbimeve. Punësimi në këtë sektor mbetet pothuajse i njëjtë që nga tremujori i dytë 2012 me disa luhatshmëri të vogla. Punësimi në sektorin e shërbimeve të tregut si tregtia, transporti, aktivitetet financiare etj, përbënte 19.3 për qind të punësimit total, në sektorin e shërbimeve jo të tregut, punësimi zinte afro 16 për qind të punësimit total dhe në sektorin e bujqësisë përbënte 48.7 për qind të punësimit. Nëse analizojmë punësimin në sektorë sipas gjinisë, në aktivitetet industriale si ndërtimi dhe industria nxjerrëse dominojnë të punësuarit meshkuj ndërsa industria përpunuese mbetet një nga sektorët e mbizotëruar nga të punësuarit femra. Kështu në sektorin e shërbimeve të orientuara drejt tregut, 75 për qind e të punësuarve ishin meshkuj. Në sektorin e shërbimeve jo të tregut 52 për qind e të punësuarve ishin femra.

Anketa

Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP) është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Në vitet 2007-2011 Anketa e Forcave të Punës është kryer me periodicitet vjetor. Nga viti 2012, kjo anketë u projektua si një vrojtim pilot për marrjen e vlerësimeve tre-mujore mbi punësimin dhe normën e papunësisë në nivel kombëtar. Duke filluar nga tremujori i parë i vitit 2013 e në vazhdim, ATFP përdoret për të nxjerrë tregues mbi tregun e punës në Shqipëri me periodicitet tremujor.

 14.5

për qind është shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç. Statistikat vlejnë për tremujorin e parë të 2013-ës, ku shkalla e papunësisë afatgjatë ishte 11 %

 1.1

për qind rezulton të jetë rritur niveli i papunësisë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012

 

15.8

për qind është niveli i papunësisë për burrat dhe 12.9 për qind për gratë. Kjo shpjegohet me faktin se gratë janë më pak aktive për të kërkuar një punë 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›