Topalli me emigrantët në Athinë: Investoni në Shqipëri, s’do paguani taksa për 3-5 vite
Mijëra emigrantë shqiptarë mirëpritën në Athinë Kryetaren e Kuvendit dhe nënkryetaren e Partisë Demokratike Jozefina Topalli.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kandidati për deputet i qarkut të Tiranës Tritan Shehu.
Nën thirrjet entuaziaste të simpatizantëve të Partisë Demokratike u prezantua edhe video-konferenca që Kryeministri dhe Kryetari i PD-së Sali Berisha zhvilloi me ta.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi arritjet që qeveria e drejtuar nga demokratët ka bërë në këto 8 vjet. Antarësimi në NATO, krijimi i vendeve të reja të punës, ndryshimi i infrastrukturës me ndërtimin e mbi 10 mijë km rrugë, ujësjellësave, kanalizimeve, shkollave, spitaleve tregojnë se po bëhet gjithcka për një Shqipëri të zhvilluar.
“Në programin e ardhshëm 4 vjeçar, PD ka vendosur që për çdo emigrant që dëshiron, të heqë për 3 deri në 5 vite çdo lloj takse. Ju ftoj ta konsideroni seriozisht këtë mundësi. Edhe një herë ju ftoj përzemërsisht në 23 qershor të vini të merrni pjesë në votime në Shqipëri, të firmosni me votën tuaj projektin e Shqipërisë së 4 viteve që vijnë, Shqipërisë së zhvilluar dhe europiane. Mirësetëvini!”, tha Berisha në video-konferencë me emigrantët shqiptarë.
Kryetarja e Kuvendit Topalli theksoi se Kuvendi ka kaluar 941 ligje, vendime e rezoluta, reforma që kanë impakt direkt tek jeta e qytetarëve.
“Në Parlament duhet vetëm tre sekonda për të kaluar tre ligje të cilat do ti kishin dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Pa marrjen e statusin ne nuk mund të ecim përpara për të arritur atë që është më e rëndësishme për emigrantin për njohjen e viteve të punës dhe marrjen e pensionit. Kësaj radhe ju duhet të ndihmoni përsëri për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Nëse mundeni, nëse gjeni kohën, nëse keni mundësi ejani në Shqipëri dhe votoni për vendin tuaj”.
Ajo shtoi se në mandatin e ardhshëm Shqipëria ka projekte të reja për turizmin, bujqësinë, infrastrukturën, tuneleve e urave, në energji dhe mbi të gjitha projekti i integrimit.