Kandidatja e PD, znj. Irena Progni dënon dhunën e ushtruar ndaj anëtarit të stafit të saj nga kryetari i Bashkisë Gramsh

Progni: Incidenti, shenjë nervozizmi e kundërshtarëve politikë në mungesë të ideve dhe alternativave politike
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Gramsh Irena Progni mbajti një konferencë për shtyp e shoqëruar nga një anëtar i stafit të saj, i dhunuar nga Kryetari i Bashkisë Gramsh dhe një grup familjarësh të tij dhe militantësh të Partisë Socialiste. Zonja Progni deklaroi se Partia Demokratike në Gramsh po bën një fushatë të qetë dhe qytetare duke e bazuar fushatën në konkurrencën ndërmjet platformave dhe projekteve. Ajo u shpreh se incidenti i krijuar sot në Gramsh është shenjë nervozizmi e kundërshtarëve politikë dhe i ftoi ata të bëhen pjesë e qytetarisë gramshiote dhe të zhvillojnë një fushatë të bazuar në ide dhe alternativa.
Zonja Progni u shpreh se dhuna dhe konfliktet nuk i shërbejnë fushatës elektorale, nuk i shërbejnë zgjedhjeve të lira dhe demokratike, madje mbi të gjitha nuk i shërbejnë Gramshit. “Flamujt nuk janë çështje e militantëve dhe punonjësve të bashkisë dhe nëse do të kishte ndonjë pretendim apo problem, Bashkia mund të kishte bërë kërkesë zyrtare për lëvizjen e tyre”, tha kandidatja Progni.
“Heqja forcërisht e tyre nga militantët e PS-së nuk ishte rruga e duhur për të zgjidhur mosmarrëveshjen e krijuar”, shtoi ajo.
“Ne jemi të vendosur të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne e kemi bazuar fushatën tonë tek respekti reciprok dhe dashuria për qytetarin dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë për tu shpjeguar gramshiotëve programin e Partisë Demokratike për Gramshin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar”, përfundoi zonja Progni.
Ndërsa anëtari i stafit të saj, Ardit Zeneli u shpreh se ai ishte goditur nga Kryetari i Bashkisë me një grup militantësh dhe njerëz të afërt të tij. Ai ka depozituar padinë penale në polici dhe incidenti i është raportuar OSBE-ODIHR-it.