Topalli me gratë në Drenovë: 30% e qeverisë gra në 2013

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka patur një takim me grate dhe vajzat në Drenovë , për promovimin e të drejtave dhe rolit të tyre vendimmarrje, si një faktor zhvillimi për shoqërinë dhe vendin. Duke u ndalur në rolin shumë të rëndësishëm që gruaja mund të luajë në vendimmarrje, kryetarja e Kuvendit tha se do të bëjë çdo gjë që në mandatin e ardhshëm 30% e kabinetit qeveritar të jenë gra.
“Unë kërkoj dhe do bëj çdo gjë që kam në dorë që në mandatin e ardhshëm në qeveri të kemi më shumë gra, tha zonja Jozefina Topalli. Në mandatin e ardhshëm unë do të dëshiroja shumë që mbi 30% në kabinetin qeveritar të Kryeministrit Berisha të jenë gra, sepse ato janë të vërteta, sepse është çështje e të drejtave të njeriut. Të jenë gra, sepse janë më pak të korruptuara; të jenë gra, sepse e meritojnë, e duan sinqerisht vendin e tyre, janë të përkushtuara dhe punojnë shumë e me pasion, ashtu si nënat tona"u shpreh Topalli.
Kryetarja e Kuvendit vizitoi panairin e grave të vetëpunësuara, në të cilin firma të ndryshme të drejtuara nga gra, por edhe gra shtëpiake prezantuan produkte të ndryshme ushqimore, gatime tradicionale të zonës, si dhe punë artizanale.