Rama akuza nga Selaniku: Berisha tradhëton interesat e vendit

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë që jetojnë në Selanik ka akzuzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Berisha si tradhëtare të interesave kombëtare për interesat e klientëve të pushtetit.
"Realisht besoj që kjo qeveri dhe kryeministri i saj kanë tradhtuar popullin, kanë tradhtuar interesat kombëtare, kanë tradhtuar interesin publik, kanë tradhtuar gjeneratën e re, kanë tradhtuar të moshuarit, kanë tradhtuar ish të përndjekurit, kanë tradhtuar pronarët, kanë tradhtuar sipërmarrjen, kanë tradhtuar të rejat dhe të rinjtë që shkojnë në universitete dhe në vend të diplomave marrin letra pa vlerë, kanë tradhtuar çdo shqiptar e shqiptare që meriton të jetojë në një Shqipëri të denjë brenda Bashkimit Europian dhe që fatkeqësisht jeton në një Shqipëri të kapur për fyti për shkak të interesave të një grushti njerëzish që janë oborrtarë dhe klientë drejtpërdrejtë të kryeministrit” tha Rama.
Gjatë takimit, lideri i opozitës duke folur për situatën ekonomike dhe politike në Shqipëri, ka theksuar se qeverisja e djathtë nuk ka mbajtur premtimet.
Në këtë kuadër, Rama tha se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për gjendjen e krijuar, ndryshe nga sa mundohet ta paraqesë Qeveria.
"Një gjë është e sigurt që nuk mund të lihet më qeveria e sotme të vazhdojë të grabisë dhe të mbysë Shqipërinë me argumentin që `po këta të tjerët çfarë do të bëjnë?`. Në fund të fundit kontratën populli e ka me ata që qeverisin. Janë ata që qeverisin që duhet të japin përgjigje një më një për çdo pikë të shkelur të kontratës. Kjo qeveri e ka grisur kontratën me popullin dhe për këtë arsye populli duhet ta flakë me votë në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që pa asnjë dyshim duhet që qeverinë e re ta gjykojë vetëm përmes provave dhe në rast se edhe qeveria tjetër nuk i përmbush pikat e kontratës me popullin, populli përsëri e ndërron. Kjo është edhe ajo që e bën demokracinë të funksionojë, mundësia për ta ndryshuar qeverinë kur qeveria nuk respekton kontratën me popullin"u shpreh ai.
Lideri i PS-së ka vlerësuar kontributin ekonomik të gjithë këtyre viteve të emigrantëve, dhe ka kërkuar që ata të jenë kontributorë të drejtpërdrejtë të ndryshimit në vend, duke votuar masivisht në vendlindje.
Ai ka shtuar se kjo do jetë hera e fundit që ata do të vijnë për të votuar, pasi kur PS të jetë në qeverisje do të bëjë të mundur që emigrantët shqiptarë të votojnë aty ku ata jetojnë dhe punojnë.