E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në Fushë Arrëz: Sot ditë zie për të gjithë shqiptarët

Për shkak të aksidentit tragjik, ku humbën jetën 14 persona e u plagosën 12 të tjerë, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ndërpreu aktivitetin zyrtar në Zvicër dhe menjeherë pas mbërritjes u nis për në Fushë-Arrëz.
Zonja Jozefina Topalli u ndal për të ndarë dhimbjen me familjen Mustafa, ku nga tragjdia e rëndë humbën jetën bashkëshortët Adem dhe Lavdie Mustafa dhe vajza e tyre e vogël, Edona 12 vjeçe.
Bashkë me shumë deputetë të Kuvendit, si Ndue Paluca, Arenca Troshani, Astrit Bushati, Gëzim Dibra Gjokë Uldedaj e të tjerë, Kryetarja e Kuvendit ngushëlloi familjarët që humbën të dashurit e tyre dhe garantoi se shteti do të kujdeset maksimalisht për katër fëmijët që mbetën pa prindërit dhe motrën e tyre.
"Jemi të gjithë shumë të shokuar e të tronditur nga kjo tragjedi tha zonja Topalli. Kjo është një tragjedi e dhimbshme dhe ditë zie, jo vetëm për familjen Mustafa por për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët. Lusim Zotin që katër fëmijët e tjerë që ndodhen në spital, të kenë jetën e gjatë. Shteti do të bëjë kujdesin maksimal për shëndetin e tyre dhe do jetë gjithmonë pranë këtyre fëmijëve që humbën nënën, babain dhe motrën e vogë Edona nga ky aksident i tmerrshëm" theksoi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit dhe deputetët bënë një vizitë ngushëllimi edhe në familjen Marku, familje që ka humbur nusen e shtëpisë dhe fëmijën e vogël të saj 6 vjeç.
Humbja e fëmijës 6 vjeçar është një dhimbje shumë e madhe tha zonja Jozefina Topalli. E po ashtu edhe ndarja nga jeta e nënës së re është një fatkeqësi jashtëzakonisht e rëndë si për ju dhe për të gjithë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›