E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli:Shfytëzimi i situatës për politikë i turpshëm

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli së bashku me kryeministrin, Sali Berisha ishin sot sërish në zonat e përmbytura në Shkodër.
Ata u ndalën fillimisht tek ura e Bahçallëkut e më pas në Bushat dhe në Malin e Jushit, ku takuan banorët dhe i kërkuan atyre edhe një herë të bashkëpunojnë për vijimin e evakuimit.
Duke e cilësuar si të turpshëm shfrytëzimin e situatës nga individë të caktuar, Kryetarja e Kuvendit tha se nuk bëhet politikë me të tilla ngjarje. Ajo tha se janë marrë të gjitha masat e duhura dhe theksoi se për çdo gjë është marrë dhe do të merret mendimi i teknicienëve.
Kryetarja e Kuvendit tha se "kjo situatë, e ardhur si pasojë e një kordinimi të të gjithë elementeve të natyrës, mund të përkeqësohet, ndaj i bëj edhe një herë thirrje banorëve të evakuohen. Dje në darkë një familje që s'kish pranuar të evakuohej i kërkoi ndihmë ushtrisë dhe unë i bëj apel të gjithëve të mendojnë për fëmijët, për gratë për të sëmurët."
Kryetarja e Kuvendit së bashku me Kryeministrin Berisha dhe ministra të kabinetit morën pjesë edhe në mbledhjen e shtabit të emergjencës ku u raportua dhe u diskutua mbi gjendjen në zonat e përmbytura dhe për masat e marra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›