Vrasja në Bulqizë, familjarët japin dy versione
Kushëriri i viktimës: U përleshën për kromin. Tezja e autorit: U grindën për një femër
Familjarët e të plagosurve kanë frikë nga hakmarrja, por policia ka dërguar tetë punonjës policie në spital
Silvana Muça
Dy biznesmenët e kromit, Vehap Shehu dhe kundërshtari i tij, Fadil Tërnova, të cilët u përleshën mesditën e së shtunës në Bulqizë, dergjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Si pasojë e kësaj përleshje, mesditën e së shtunës në Bulqizë, gjeti vdekjen Shefqet Shehu, vëllai i njërit prej të plagosurve. Mjekët thonë se 25-vjeçari Tërnova është në gjendje të rëndë për jetën, duke mos u dhënë shpresa familjarëve. Ndërsa Shehu, fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën edhe pas atentatit të dytë që i është bërë nga i njëjti person në vitin 2009. Tek dera e spitalit nuk gjenden të afërmit e asnjërit prej të plagosurve me armë zjarri, pasi tremben për hakmarrjen ndaj njëri-tjetrit. Të vetmit persona që takojmë është Erjoni, djali i hallës së Vehap Shehut dhe tezja e Tërnovës, Mite Lamani. Që prej së shtunës ata kujdesen për të plagosurit dhe duke mos lëvizur nga dera e reanimacionit për asnjë moment. Të dy kanë frikë se mos përplasen prej konfliktit të biznesmenëve të kromit, por prania e 8 punonjësve të policisë i qetëson. Secili prej të afërmve ka një version të ndryshëm për konfliktin e mbartur që prej vitit 2009.
Ngjarja, sipas Shehajve
Erjoni, djali i hallës së Vehap Shehut, thotë se motivi i sherrit mes dy familjeve që kanë lidhje gjaku me njëra-tjetrën, ka lindur për një stok kromi. Kushërinjtë e mi zotërojnë në Bulqizë një minierë kromi. Kanë të punësuar rreth 30 punëtorë, të cilët nxjerrin lëndën e parë nga galeria D. Pranë kësaj galerie ndodhet një stok i madh kromi dhe Vehapi me Shefqetin kanë tentuar që ta vjelin, por janë ndaluar nga vëllezërit Tërnova. Ata i kanë kërcënuar, duke u thënë se sa të jenë gjallë, kushërinjtë e mi nuk do të kenë shanse që të marrin kromin. E gjithë kjo histori ka nisur në vitin 2009. Familja Shehu me familjen Tërnova janë përleshur disa herë fizikisht. Një ditë ata i bëjnë atentat Vehapit, duke e plagosur në këmbë. Policia arrestoi autorin e krimit, Fadilin dhe në vitin 2010, Gjykata e dënoi me 17 vjet burg. Nuk e di se si ka dalë prej andej dhe kjo gjë nuk u prit mirë nga Vehapi. Sa herë që shiheshin rrugës, e kërcënonin njëri-tjetrin me jetë deri sa ndodhi kjo që ndodhi, shprehet djali i hallës të 38-vjeçarit. Erjoni thotë se është mjaft e vështirë që mosmarrëveshjet e tyre të zgjidhen në rrugë ligjore, pasi situata është rënduar. I plagosuri gjatë gjithë kohës pyet për fatin e të vëllait, që tentoi ta mbronte, por ai nuk ka guxim tia thotë. Vehapi më pyet gjatë gjithë kohës për Shefqetin. Nuk mund tia them që Shefqeti po përcillet në banesën e fundit. Ai nuk është në gjendje që ta përballojë një lajm të tillë, thotë Erjoni. Sipas tij, vëllezërit kanë qenë duke pirë në një prej lokaleve të Bulqizës dhe aty janë ndeshur me vëllezërit Tërnova. Fillimisht janë përleshur fizikisht dhe Fadili është larguar. Pas 30 minutash ata janë rikthyer duke i kërkuar Vehapit që të dalë jashtë. Kushëriri del, për ti treguar se nuk ia kishte frikën. Sapo mbërrin tek dera, ata e qëllojnë me pistoletë. Në këtë moment, Shefqeti del dhe qëllon me armë zjarri në drejtim të tyre. Nga të shtënat mori dy plumba në gushë dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Atentatorët ishin të përgatitur. Më thanë se kanë qenë gjithsej 12 persona, të organizuar me 3 makina. Ikën me shpejtësi pasi vranë Shefqetin. Këto gjëra mi kanë thënë në telefon, sepse unë nuk kam qenë në Bulqizë. Pasi mora vesh lajmin në televizor erdha me shpejtësi në spital. Pjesa tjetër e fisit ka shkuar në varrimin e djalit të hallës, përfundon fjalën djali i hallës së familjes Shehu.
Ngjarja, sipas Tërnovave
Ndërsa tejza e Fadil Tërnovës, qëndron e strukur pas derës së reanimacionit. Mite Lamani ka shumë frikë se mos hasmi e vret. Ruan çdo lëvizje të Erjonit. I plagosuri në gjendje të rëndë ka nevojë për gjak dhe është mjaft e vështirë që ta sigurojnë. Lamani ka marrë nusen e djalit të saj, që të dhurojë gjak për 25-vjeçarin. Janë afruar edhe dy të tjerë, por rezervat nuk janë të mjaftueshme. Kemi nevojë për gjak. Babai i Fadilit, fëmijët dhe nusja nuk kanë mundësi të vijnë. I tremben hakmarrjes. U thashë mjekëve që të më merrnin mua gjak, të mos më linin asnjë pikë, por më thonë që nuk bën pasi jam e moshuar. Kjo situatë po më çmend. Është shumë i rëndë fakti, që nipi im dergjet atje dhe mjekët nuk më japin shpresa. Ka marrë dy plumba tek mëlçia dhe ajo ka dalë jashtë funksionit. Nëna e tij është në Francë dhe ka marrë avionin për të ardhur. U nis atje, në mënyrë që të bënte operacion nga mëlçia, tregon Lamani. Tezja e Tërnovës e mohon motivin e sherrit për biznesin e kromit. Ajo thotë se gjithçka ka nisur për një femër, para disa vitesh. Minierat e kromit janë shumë larg nga njëra-tjetra dhe nuk ka lidhje me këtë punë. Askush nuk e mendoi që gjërat do të arrinin deri në këtë pikë. Historia ka nisur para katër vitesh dhe Fadili u përlesh fizikisht me Vehapin për këtë muhabet. Në gjaknxehtësi e sipër, nipi im e plagosi. Kërkoi shumë herë falje për gabimin e atij viti, por ata nuk pranuan. Të shtunën në mëngjes u përleshën me njëri-tjetrin. Familja e hasmit e kishte kërcënuar me jetë disa herë. Pasdite Fadili kishte shkuar te lokali i kushërirës bashkë me të vëllanë, për të pirë kafe. Aty ka ardhur familja Shehu dhe i kanë bërë atentat. Fadili ua ka marrë pistoletën nga dora se është i hedhur si tip dhe më pas ndodhi gjëma. Pas plagosjes ai ka shkuar në shtëpi, sepse në spital ndodhej familja kundërshtare dhe kishte frikë. Fëmijët e Fadilit kanë parë tmerr me sy, përfundon historinë Mite Lamani.
Vrasja në Bulqizë, familjarët japin dy versione burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email