Topi: Berisha, Stalinisti i fundit në Europë

Kreu i FRD-së Bamir Topi ka reaguar ashpër ndaj akuzave që kryeministrit, Sali Berisha ka artikuluar në adresë të tij në seancën plenare të Kuvendit. Në një konferencë për shtyp, Topi theksoi se akuzat ndaj tij janë nga një njeri i çekuilibruar dhe një person i cili e ka humbur kontrollin.
"Kryeministri lëshoi sërish dje një lumë akzuash shpifjesh duke tentuar të njollosë emrin tim dhe integritetin tim në cilësinë e ish kreut të shtetit. Kam bindjen se kushdo që e ka dëgjuar ka krijuar atë ndjesi që pata dhe unë. Sërish kryeministri u shfaq në një gjendje të çekuilibruar dhe humbi kotrollin. I vetmi person ka 20 vjet që po baltos institucionet duke vënë në punë një makinë denigruese të pushtetit dhe mediave" tha Topi.
Ai ka theksuar se kryeministri Berisha sulmon rivalët e tij politik sa herë që ndodhet para një dështimi politik duke humbur kontrollin. "Veprimi i tij janë dëshmi që ai mbetet një pacient në një fazë të rënduar mendore. Ju e dëgjuat që ai nuk kishte fakte po me zhargonin e tij konfliktual e lidhi emrin tim me vrasjen gjyqtarit Konomi. Kryeministri drejton policinë e shteteti, SHISH-in dhe ka të gjithë aksesin e informacionit zyrtar por ai nuk zbardh të vërtetat e mëdha sepse për të nuk ka rëndësi e vërteta” theksoi Topi.
Ish-presidenti Topi i është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit për emërimet në gjykata duke i cilësuar deklaratat e shefit të qeverisë si shpifjet e tij të radhës në prag të daljes në pension politik. “Akuzat për emërimet në gjykata janë baltë dhe shpifje pa fund me shpresën se duke bërë kështu diçka do të mbetet. Çdo emërim është bërë edhe me votën e ministrave të tij dhe me votimin e fshehtë të anëtarëve të KLD-së. Shqiptarët e dinë fare mirë se cili politikan e ka krijuar karrierën e tij mbi konflikte permanente, ata e dinë se kush e ka çuar vendin në prag të konfliktit civil për karrigen e tij, e dinë se kush kërcënon me jetë politikanët nga tribuna e parlamentit. Përvoja e tij politike njeh vetëm frikën, gënjeshtrën dhe pabesinë, duke shtuar se tashmë Berisha ka humbur shumicën, mbështetjen publike, mbështetjen perëndimore, dhe në prag të kalimit në pension politik ka arritur të kuptojë se FRD dhe mijëra shqiptarë janë të vendosur të ndahen nga ky model negativ, i cili hyri në politikë nga zyra e Ramiz Alisë” tha Topi.
Duke bërë thirrje për largimin nga pushteti të stalinistit të fundit, siç e quajti ai Berishën, Topi tha se është në një mision të dyfishtë publik; për të parandaluar kalimin e vendit në Pashallëkun privat dhe familjar të kryeministrit, dhe për të ftuar çdo shqiptarë që beson në një politikë të re qytetare dhe evropiane, për të larguar stalinistin e fundit në Europë.