Sulmi në Bengaz, Berisha ngushëllime në Ambasadën e SHBA-së
Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet në ambasadën e Shteteve të Bashkuara për humbjen e jetëve njerëzore në sulmin ndaj ambasadës së SHBA-ve në Libi. Berisha vizitoi sot ambasadën amerikane në Tiranë, për të shprehur ngushëllimet për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga sulmi i ndodhur mbi Ambasadën e SHBA në Bengazit të Libisë, si pasojë e të cilit humbën jetën Ambasadori i SHBA në Libi, zoti Christopher Stevens dhe tre punonjës të Ambasadës Amerikane atje.
Gjatë vizitës së tij, Kryeministri u prit nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, të cilit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta si dhe keqardhjen e thellë për humbjen e rëndë të jetëve njerëzore në këtë akt barbar, terrorist. Berisha tha se kjo ishte një ngjarje tronditëse për Amerikën, por edhe për shqiptarët dhe miqtë e saj kudo në botë dhe shprehu besimin se këta terroristë do të marrin dënimin e merituar.
Nga ana e tij, ambasadori Arvizu shprehu mirënjohjen për mesazhet e shumta të solidaritetit të marra nga autoritetet shtetërore dhe qytetarët shqiptarë.
Në shprehje të ndjenjave të simpatisë dhe solidaritetit njerëzor, Kryeministri la një shënim në librin e ngushëllimeve të hapur nga Ambasada me këtë rast.