E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Dialogu politik, jashtë standardeve

Pritja
Kreu i shtetit mban fjalimin vjetor para ambasadorëve të akredituar në Tiranë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar mbrëmë se dialogu politik në vend ka ngecur dhe është detyrim i politikës dhe institucionet që të zbatojnë me përpikëri të gjitha standardet e botës demokratike. Në fjalimin e mbajtur para trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, kreu i shtetit shqiptar, ka lëshuar dy mesazhe të qarta për qeverinë dhe politikën shqiptare. Për qeverinë ka kërkuar që të zbatojë kërkesat e BE-së dhe të mbyllë në afatin e caktuar pyetësorin e Komisionit Europian. Ndërkaq, në lidhje me situatën politike, Presidenti Topi tha se  “debati politik nuk është në nivelin e duhur. Situata politike nuk shkon ashtu siç duhet, për ne është e domosdoshme të ndjekim me rigorozitet të gjitha standardet e botës demokratike, kjo vlen për politikën, për administratën, institucionet e tjera të vendit. Topi e ka bërë të qartë se së shpejti klima politike shqiptare do të jetë jashtë kontekstit të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës.
Një qëndrim, që nëse shihet me kontekstin e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe takimin e ambasadorëve të BE-së me kreun e shtetit, i jep më shumë theks marrjes nga ana e Topit të rolit të mediatorit mes mazhorancës dhe opozitës për të zhbllokuar politikën. Presidenti i Republikës, në fjalimin e tij ka bërë një rezyme të zhvillimeve diplomatike të Shqipërisë në vitin që lamë pas, si dhe prioritetet e politikës së jashtme në këtë vit. Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, duke bërë të ditur piketat e politikës së jashtme, ka theksuar se për Shqipërinë marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshme duke ruajtur prioritetet me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vende të tjera. Presidenti Topi, duke iu drejtuar ambasadorëve, theksoi se “Ju siguroj se institucionet e Shqipërisë do të përballojnë të gjitha detyrimet në rritje që i shërbejnë rritjes së standardeve demokratike, por edhe për marrëdhëniet me vendet tuaja.
Ndërkaq, në lidhje me Kosovën, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bërë të ditur se Shqipëria do të vazhdojë aksionin e saj politik për të lobuar që Kosova të njihet sa më shumë ndërkombëtarisht nga vendet botës. Takimi me ambasadorët është në fakt një nga evenimentet më të rëndësishme të vitit, pasi kreu i shtetit shqiptar prezanton para diplomatëve të huaj piketat e politikës së jashtme. Në takimin e djeshëm, në emër të trupit diplomatik, fjalën e ka mbajtur edhe dekani i këtij trupi, ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Prishepov.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›