E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Paratë e pista të futen në biznes

Miratohet një ligj që takson paratë e fituara në aktivitete të panjohura
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje pa debat një projektligj që mund të legalizojë të gjitha paratë e fituara në aktivitete të panjohura nga autoritetet, me kushtin e vetëm që të paguajnë një tatim-fitimi në masën 10 për qind. Projektligji mund ta kthejë Shqipërinë në vendin me koston më të ulët për pastrimin e parave në Europë.
Të taksueshme janë: “të ardhurat në formë monetare për shtimin e kapitalit me burim jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave”, – thuhet në propozimin e fundit të qeverisë për ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat.” Propozimi në fjalë sanksionon se procedurat për këtë veprim do të detajohen në udhëzime të Ministrisë së Financave, por nuk vendos kushte për zbulimin e origjinës së këtyre parave.
Skema
Sipas propozimit, çdo sipërmarrës do të mund të krijojë një kompani dhe pas kësaj do të mund të shtojë kapitalin e saj, pa marrë parasysh se cili është burimi i parave të kapitalit të shtuar. Pas kësaj, paratë e fituara pa paguar taksa apo në aktivitete të panjohura, do të konsiderohen kapital i ligjshëm. Sipas relacionit që Këshilli i Ministrave i ka dërguar Parlamentit mbi këtë çështje, qeveria është e interesuar thjesht  dhe vetëm të mbledhë të ardhura tatimore, por në asnjë rast, për të verifikuar burimin e këtyre të ardhurave.
“Gjatë zbatimit në praktikë të këtij neni nga administrata tatimore janë evidentuar një sërë rastesh ku shoqëri të ndryshme shtojnë kapitalin e tyre me të ardhura të tjera monetare, pa deklaruar origjinën e burimit të tyre. Për të kontrolluar dhe taksuar të ardhurat, që individë të ndryshëm fusin në kapitalin e shoqërive, si shtesë kapitali, është propozuar ky ndryshim”,  thotë relacioni.
“Kapitali i shoqërisë shtohet si nga shpërndarja brenda vetes e dividentit ose rikapitalizimi i tij edhe me injektim nga jashtë. Ky injektim mund të jetë në natyrë. Me këtë propozim, çdo shtesë e kësaj natyre bëhet e taksueshme. Pra shoqëria shton sa të dojë, por me kusht që më parë kjo shtesë të jetë taksuar (sot për sot me 10%),” komentoi për gazetën “Shqip” drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani.
Disa prej deputetëve në komisionin parlamentar të ekonomisë u ankuan dje për faktin se ky ligj mund të vendosë nën taksim të ardhurat që sipërmarrës të ndryshëm kanë fituar në emigrim.
Një parajsë fiskale
Parlamenti miratoi mes debatesh të shumta në muajin nëntor një ligj kundër krimit të organizuar, i cili u ngarkon personave të dyshuar se kanë fituar para në mënyrë të paverifikueshme, të vërtetojnë me dokumente origjinën e parave. Por ky ligj nuk është shoqëruar me ndonjë detyrim të subjekteve të ndryshme për të deklaruar origjinën e parave të prezantuara si kapital për sipërmarrje apo blerjesh pronash të patundshme. Zakonisht pastrimi i parave të fituara në aktivitete të paligjshme kërkon krijimin e aktiviteteve të ligjshme dhe deklarimin e fitimeve të paqena. Me ndryshimin e fundit ligjor, qeveria pranon paratë e fituara në mënyrë të paverifikueshme, për të cilat nuk është paguar tatim më herët dhe i legalizon ato si kapital në sipërmarrje me kushtin e vetëm që të paguhet tatim mbi të ardhurat në masën 10 për qind. Të njëjtën masë tatimi shqiptarët e paguajnë edhe për të ardhurat e ligjshme që krijojnë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›