E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi ndaj Top Channel, shoqërohen 4 të dyshuar

Prokuroria po heton për shkatërrim të pronës me dashje. Gjykata vendos sekuestro konservative

Prokuroria e Rrethit të Tiranës ka regjistruar procedimin penal në lidhje me sulmin ndaj studiove të “Top Channel”, mesditën e së martës, ndërsa ka filluar hetimet për ngjarjen. Burimet e Prokurorisë së Tiranës thanë për “Top Channel” se përveç dy shoqërimeve të policisë gjatë së martës, ajo ka urdhëruar edhe shoqërime të tjera të mërkurën, por nuk bëri të ditur identitetin e tyre. Akuza që rëndon mbi personat që sulmuan studiot e “Top Channel” është ajo e shkatërrimit të pronës, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Televizionit Kombëtar. Ndërsa hetimet vazhdojnë, policia në komunikatën e saj për shtyp nuk e ka përfshirë sulmin ndaj studiove të “Top Channel”.
Policia
Por, ngjarja ka qenë e përcjellë në komunikatën operative që policia shpërndan për informim të krerëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe për drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme. Edhe në këtë komunikim operativ, thuhet se janë shoqëruar disa persona për ngjarjen, por pa bërë të ditur identitetin e tyre. Studiot e “Top Channel” u sulmuan mesditën e së martës nga disa persona. “Top Channel” ka bërë padinë në lidhje me aktin vandal, e cila u pranua nga Prokuroria e Tiranës, që ka nisur hetimet. Nga ana tjetër, policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat mësohet se nga kjo ngjarje janë dëmtuar rreth 80 metër katror e çatisë, ndërkohë që deri në orët e pasdites nuk ka pasur një autor konkret të saj. Sipas policisë, ngjarja po hetohet për akuzën e shkatërrimit të pronës, vepër penale e parashikuar në nenin 150 të Kodit Penal. Sipas këtij neni, shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Gjykata
Nga ana tjetër, pas sulmit vandal, Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro konservative mbi ambientet e “Top Channel”, tek ish- Ekspozita “Shqipëria Sot”, derisa procesi gjyqësor të përfundojë. Gjykata e ka shpjeguar edhe këtë marrje mase për sigurim padie apo mosndërhyrje në objekt, deri në fund të procesit gjyqësor. Sipas gjykatësit Asim Vokshi, gjykata i sekuestron 2300 metra katrorë të kësaj prone, që pala paditëse i disponon konform kontratave dhe do të mbeten të ngrira derisa të mbarojë ky gjyq. “Kjo do të thotë që palët nuk kanë të drejtë, kryesisht pala e pronarëve, të disponojë të drejtën mbi këtë pronë, për sa kohë vazhdon procesi gjyqësor. Gjithashtu, Policia e Tiranës deklaroi se ka dërguar agjentët e saj për të mbajtur nën vëzhgim këtë objekt, me qëllim parandalimin e ndonjë akti tjetër vandal. Sipas të dhënave, pesë agjentë civilë dhe dy të tjerë me uniformë janë dërguar për ruajtjen e sigurisë në këtë objekt, që aktualisht disponohet nga “Top Channel”. Ditën e sulmit, drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Tonin Vocaj, deklaroi se pas njoftimit, specialistët e vlerësuam ngjarjen në maksimum dhe nën mbikëqyrjen e prokurorisë, kanë këqyrur vendngjarjen, kanë mbledhur të gjitha provat dhe kryer veprimet procedurale. Sipas tij, materialet dhe dëshmitë e mbledhura i kaluan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme, me të cilën po bashkëpunohet ngushtë për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›