E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Do të mbeteni i paharruar për mënyrën e të bërit diplomaci

28/07/2010 Uithers i jep lamtumirën Presidentit, e falënderon për ndihmën

Ambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers, ka zhvilluar dje një takim lamtumire me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ku i ka shprehur këtij të fundit mbresat më të mira për vendin tonë. Uithers, i njohur si ndër ambasadorët më aktivë për sa i përket politikës shqiptare, sipas një njoftimi të zyrës së Presidentit, mësohet ta ketë falënderuar kreun e shtetit për mbështetjen e pakursyer personale dhe institucionale që i ka dhënë zotit Uithers, gjatë përmbushjes së detyrës së tij. Nga ana tjetër, Uithers është shprehur se po largohet nga Shqipëria me kujtimet më të mira dhe “me bindjen se asgjë nuk do ta ndalë popullin shqiptar që me vlerat, energjinë dhe vendosmërinë e tij të ndërtojë një Shqipëri sa më të mirë, të bazuar mbi vlerat universale të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjes së mirëqenies së gjithanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.

Topi

Ndërkohë nga ana e tij, Presidenti i Republikës është shprehur se zoti Uithers do të mbetet i pashlyer në kujtesën e popullit shqiptar për mënyrën e diplomacisë, e cila për Presidentin shqiptar është një mendësi perëndimore. “Do të mbetet i pazëvendësueshëm në kujtesën e popullit dhe institucioneve shqiptare për dashurinë, përkujdesjen dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të të bërit diplomaci me një mendësi moderne, të shoqëruar edhe me kontributin e madh në përforcimin e urave të komunikimit dhe miqësisë tradicionale që lidh dy popujt dhe vendet tona”, është shprehur Presidenti i Republikës, duke i shprehur falënderimet e veçanta për punën e palodhur dhe shërbimin e paçmuar si përfaqësues i aleatit më të madh të shqiptarëve.

Jon Uithers

Ambasadori amerikan Xhon L. Uithers është i njohur në politikën shqiptare për mënyrën e drejtpërdrejtë të të shprehurit. Deklaratat e tij kanë hapur jo pak debate mes forcave politike në vend, siç është rasti kur kundërshtoi rrëzimin e dekreteve të Presidentit nga ana e Parlamentit për kandidatët e Gjykatës së Lartë, çështja e SHISH, apo dhe deklarata e fundit kur u shpreh se në Shqipëri po zbatohet ligji i lustracionit, një ligj që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Ambasadori amerikan zëvendësoi në këtë detyrë Marsi Rice, e cila e la detyrën në vitin 2007, për të marrë një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan.

Arvizu, ambasadori i ri amerikan

Alexander Arvizu nga muaji gusht do të jetë përfaqësuesi më i lartë i SHBA-së në vendin tonë. Presidenti Obama u shpreh se është i lumtur që Alexander Arvizu ka pranuar të jetë pjesë e administratës së tij për të dhënë kontribut. “Jam mirënjohës që këta individë impresionues (u referohet edhe ambasadorëve të tjerë) kanë pranuar të përfshihen në administratën time. Jam i sigurt se ata do të shërbejnë më aftësi në rolet e tyre të reja dhe shpreh kënaqësinë të punoj me ta gjatë muajve dhe viteve në vazhdim”, deklaroi Presidenti Obama. Arvizu është diplomat karriere i Shërbimit të Huaj, në rangun e këshilltarit ministror. Aktualisht, ai është drejtor i Zyrës së Zhvillimit të Karrierës dhe Pozitave në Departamentin Amerikan të Shtetit. Më parë ka qenë zv/ndihmësskretar në Zyrën e Çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit. Arvizu ka qenë gjithashtu zëvendësshef Misioni në Bangkok të Tailandës dhe në Pnom Pen të Kamboxhias. Ai ka shërbyer edhe në vende të tjera, si Koreja e Jugut dhe Japonia. Në Uashington ai ka punuar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Arvizu ka lindur në një bazë ushtarake amerikane në Japoni dhe është rritur në Kolorado. Ai ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin Georgetown. Zoti Arvizu është 52 vjeç, është i martuar me Anne Florence Cunningham dhe ka dy fëmijë: Yukiko dhe Hailey Arvizu.

Emërimi i ambasadorit

Dervishi i dorëzon letrat kredenciale Papuliasit

Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, i paraqiti dje letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Papulias vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe lidhjet e forta historike mes dy popujve. Në këtë kuadër, ai shprehu bindjen në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, duke veçuar këtu kontributin mjaft të rëndësishëm të emigrantëve shqiptarë në Greqi si një urë lidhëse mes dy popujve tanë. Presidenti Papulias siguroi edhe një herë se Greqia ka qenë dhe mbetet avokati më i mirë i Shqipërisë për integrimin e plotë në BE dhe liberalizimin e vizave. Duke përcjellë urimet më të mira për Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Presidenti Papulias shprehu dëshirën për të vizituar së shpejti Shqipërinë dhe për të parë nga afër ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në vend.

Nga ana e tij, ambasadori Dervishi, pasi e falënderoi Presidentin Papulias për pritjen e përzemërt, shprehu kënaqësinë për nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›