E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet private, rritje me 41% për 6 muaj

28/07/2010 Vlera e kontributeve arriti në 87 milionë, regjistrohen 4658 kontribues

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikon shifrat për 6-mujorin

Tregu i pensioneve private vullnetare në gjashtë muajt e parë të vitit 2010 është rritur me 41 për qind. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera totale e kontributeve deri në fund të muajit qershor arriti në pak më shumë se 87 milionë lekë, n ga më pak se 62 milionë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Angazhimi në tregun e pensioneve private të aktorëve të rëndësishëm si Raiffeisen është shoqëruar me një rritje të ndjeshme të tregut në raport me bazën e mëparshme, por përsëri tregu ngelet i kufizuar në përmasa. Numri total i të siguruarve në këto skema është më pak se pesë mijë vetë. Më saktësisht, në fund të muajit qershor, regjistroheshin 4658 kontribues, me një rritje modeste prej 8.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për nga vlera e kontributeve, tregu vazhdon të dominohet nga shoqëria Raiffeisen Pensions, që në fund të gjashtëmujorit të parë zinte afro 51 për qind të tregut. Megjithatë, Raiffeisen shfaqet në rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur zinte 58 për qind të tregut. Në rritje është shoqëria Capital, që ka arritur në 32 për qind të tregut, nga 21 për qind që zinte një vit më parë. Në rënie edhe shoqëria Sigma IPP, që në fund të muajit qershor zinte 17 për qind të tregut, 3 për qind më pak se një vit më parë. Për sa i takon numrit të kontribuesve, shoqëria më e madhe në treg është Capital, që zë 40 për qind të tregut, e ndjekur nga Raiffeisen me 38 për qind dhe Sigma IPP me 22 për qind. Gjithsej, skemat e pensioneve private përfshijnë më pak se 4700 kontribues, që në pjesën më të madhe janë punonjës të shoqërive që janë aksionere të fondeve të pensioneve private. AMF vlerëson se tregu vazhdon të jetë i vogël, por me ndryshimet ligjore të ndërmarra së fundi janë rritur pritshmëritë për një rritje më të shpejtë. Shoqëria Raiffeisen Pensions ngelet shoqëria më e madhe për sa i takon vlerës së kontributeve, ndërkohë që Capital ka marrë vendin e parë për nga numri i kontribuesve. Në mbështetje të këtij tregu është miratuar një ligj, i cili synon të nxisë krijimin e fondeve private të pensioneve. Sipas tij, çdo individ, pavarësisht moshës apo faktit nëse është në punë apo jo, mund të bëhet pjesë e skemave private të pensioneve. Kontributi që mund të derdhet është pa limit, por Ministria e Financave lehtëson nga taksat deri në 200 mijë lekë në vit. Gjithashtu ligji në fjalë ka si qëllim kryesor përcaktimin e kuadrit ligjor në fushën e pensioneve private dhe përcakton vendosjen e standardeve për administrimin me efektivitet të fondit të pensioneve, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›