Topi-Fisher: Austria mbështet integrimin e Shqipërisë

Austria ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për integrimin evropian të Shqipërisë. Kjo mbështetje i është dhënë gjatë takimit në Vjenë, presidentit Topi nga homologu i tij austriak, Hajnc Fisher. Ky i fundit siguroi se Austria do të vazhdojë të japë të gjithë mbështetjen e fuqishme në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë në të gjitha drejtimet si dhe në kurorëzimin e suksesshëm të aspiratave integruese evropiane të popullit shqiptar.
Presidenti Topi dhe homologu i tij austriak, Fisher, zhvilluan bisedimet dypalëshe dhe gjatë këtij takimi, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për të gjithë mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë, sidomos në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si përparësi themelore e politikës së jashtme shqiptare, duke vënë në pah besimin se me përpjekje serioze e me ndihmën e partnerëve evropianë si Austria, vendi ynë do të mundë të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Në një njoftim për shtyp të Presidencës mësohet se në këtë takim, dy presidentët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve dhe nënvizuan vullnetin për t`i forcuar dhe intensifikuar më tej ato, si në planin dypalësh dhe në atë shumëpalësh, por veçanërisht në drejtim të forcimit reciprok të dialogut politik.
Në këtë kuadër, dy krerët e shteteve shprehën besimin se këto marrëdhënie shumë të mira e bashkëpunimi ndërshtetëror mes dy vendeve tona do të forcohen edhe më tej në të ardhmen, duke vënë në pah faktin se ekziston një klimë shumë e mirë dhe vullnet e angazhim konkret mes të dyja palëve. Presidenti Topi, vuri në dukje në takim rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare me Austrinë, me qëllim intensifikimin e investimeve të biznesmenëve austriakë në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si në infrastrukturë, energjetikë, turizëm, etj.
Gjithashtu, Presidenti Fisher vlerësoi lart qëndrimin e Kryetarit të Shtetit shqiptar mbi zhvillimet politike në vend, por dhe rolin moderator e konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik edhe mes udhëheqësve rajonalë, me synim zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në gjirin e familjes së madhe evropiane.
Gjatë vizitës zyrtare, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë zhvilluan edhe një takim të përzemërt me përfaqësues të diasporës shqiptare në Austri, të cilët e falenderuan Kreun e Shtetit për interesimin dhe përkrahjen e treguar për ta.