E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Prokuroria të jetë e fortë dhe e pavarur

Nga Darina Tanushi
Zbardhen vërejtjet dhe vlerësimet e misioneve Euralius dhe OPDAT mbi ligjin për prokurorine. Në materiale të 2 misionet i kanë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë sugjerimet e tyre për projektligjin, që në muajin tetor 

TIRANE-Misioni i Bashkim it Evropian, Euralius dhe OPDAT, Zyra e asistencës për drejtësinë pranë ambasadës së SHBA-së, kanë mbështetur projektligjin “Për Prokurorinë” të miratuar dje, me konsensusin e dy partive të mëdha në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Dy misionet, që asistojnë Shqipërinë në procesin ligjbërës për sistemin e drejtësisë, më parë kanë bërë edhe vërejtjet e tyre, të cilat duket se në përgjithësi kanë gjetur vend në projektin e miratuar në komision. Në materialet e veçanta, të dy misionet i kanë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë sugjerimet e tyre për këtë projektligj, që në muajin tetor. Pikërisht, nga këto materiale rezulton se Ministria e Drejtësisë, që është edhe nismëtare e ligjit, i ka reflektuar në draftin përfundimtar edhe propozimet e Euralius dhe OPDAT. Përjashtim bën vetëm propozimi i OPDAT, për krijimin e postit të zëvendësprokurorit, i cili është vlerësuar si i panevojshëm për shkak të mundësisë që ka prokurori i përgjithshëm për të emëruar një mëkëmbës të tijin, kur ai vetë nuk mundet të kryejë këtë detyrë. Në komunikimin shkresor që ka bërë në 16 tetor të këtij viti OPDAT me Ministrinë e Drejtësisë, thuhet se “Ambasada e SHBA-së beson se një prokuror i përgjithshëm i fortë, i pavarur, që zbaton ligjet pa pasur parasysh qëndrime politike apo ndikime të tjera, është thelbësor për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Shqipërisë”. OPDAT i ka parashtruar Ministrisë së Drejtësisë nevojën e krijimit të postit të zv/prokurorit të përgjithshëm, post të cilin e gjykojnë si përfitim për organizimin e Prokurorisë. Por, një propozim i tillë nuk u mor parasysh nga ministria dhe nuk u reflektua në projektin e miratuar dje nga Komisioni i Ligjeve. OPDAT ka sugjeruar ndërkaq që të rishikohen dhe përmirësohen dispozitat aktuale të Kodit të Procedurës Penale, për të vendosur procedura të qarta dhe të njëjta për heqjen dorë dhe zëvendësimin e të gjithë prokurorëve. OPDAT kundërshtoi me forcë zgjidhjen e propozuar më parë që në mars të 2008 nga grupi i punës, që të caktohej një autoritet brenda Prokurorisë për të vendosur mbi përjashtimin e prokurorit të përgjithshëm.
Euralius
Nga ana e tij, misioni i BE-së, për të ndihmuar sistemin shqiptar të drejtësisë, ka bërë vetëm 7 propozime në nene të veçanta të draftit. Euralius e ka përgëzuar nismën dhe ka vlerësuar faktin që projekti është diskutuar në disa mbledhje të grupit të punës. Euralius shprehet se në nenin 3, pika ç, “një shkelje eventuale e detyrimit të prokurorit të përgjithshëm për të deklaruar konfliktin e interesit, nuk duhet të përcaktohet nga ligji”. Euralius propozoi edhe disa rregullime të nenit 8, që ka lidhje me kompetencat dhe detyrat e prokurorit të përgjithshëm. Euralius sugjeroi ndërkaq, që duhet të jetë gjykata që të vendosë nëse duhet shpërblyer prokurori, nëse shkarkimi i tij nga detyra nuk ka qenë i bazuar në ligj. Për këtë propozon që të mos ketë kufizim për kompensimin deri në një vit të pagës. Euralius mendon që duhet të jetë një organ i jashtëm që të kryejë inspektime në zyrat e Prokurorisë, duke supozuar që kjo bëhet në përputhje të plotë me ligjin. “Një kontroll i tillë është gjithashtu në të njëjtën linjë me zyrat e Prokurorisë në vende të tjera, ku ky i fundit është i pavarur dhe një kontroll i tillë kryhet nga Ministria e Drejtësisë”, - thuhet në raportin e Euralius. “Megjithatë, - sugjeron Euralius, - vëmendje duhet t’i kushtohet rasteve ku rreziku për abuzim me këtë kompetencë bëhet iminent”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›