E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i medias, KKRT, në varësi të qeverisë

KKRT-ja do të cilësohet KKTZF. KKRT-ja është e detyruar të zbatojë udhëzimet e ministrit. Nuk financohet dhe nuk merr dot hua, pa lejen e ministrit. Kandidatët për t'u zgjedhur anëtarë të KKTZF-së zgjidhen nga radhët e personaliteteve në fushat e medias në përgjithësi, drejtësisë, shkencës, kulturës

TIRANË- Fusha e transmetimeve radiotelevizive do të rregullohet me një ligj të ri. Grupi i ekspertëve, i ngritur nga Komisioni Parlamentar i Medias, ka përfunduar së hartuari dhe ka dorëzuar në Kuvend projektligjin “Për transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë”, nëpërmjet të cilit synohet që organizimi dhe funksionimi i të gjithë aktorëve që veprojnë në këtë fushë, të bëhet sipas standardeve europiane. Drafti në fjalë, për shkak se synon t’i japë zgjidhje të gjithë problematikës që ka lindur gjatë këtyre viteve, jo vetëm nga zgjerimi i veprimtarisë së këtyre operatorëve, por edhe për shkak të zhvillimit të teknologjisë transmetuese, është tepër voluminoz dhe është i organizuar në 22 kapituj, ose thënë ndryshe, në 123 nene.

KKTZF

Këshilli Kombëtar i Transmetimeve me Zë dhe Figurë (KKTZF) do të jetë emri i ri, me të cilin do të pagëzohet institucioni rregullator që do të merret me shërbimet e transmetimeve të programeve radiotelevizive në territorin e Republikës së Shqipërisë, institucion i cili, deri më tani është quajtur KKRT. Në këtë nismë ligjore, ky organpërcaktohet si institucion i pavarur, dhe që do të përbëhet nga Kryetari, zëvendëskryetari dhe 5 anëtarë. Kandidatët për t’u zgjedhur anëtarë të KKTZF-së zgjidhen nga radhët e personaliteteve në fushat e medias në përgjithësi, drejtësisë, shkencës, kulturës, zhvillimit teknologjik apo mjedisit. Anëtarët e këtij institucioni zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, sipas një procedure të caktuar. Kuvendi, me votim të hapur, zgjedh njërin nga anëtarët e Këshillit në detyrën e Kryetarit, ndërsa zëvendëskryetari zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve të vetë KKTZF-së, me votim të fshehtë. Një anëtar mund të shkarkohet kur në mënyrë të qëllimshme, për të bllokuar vendimmarrjen e Këshillit, mungon dy herë rresht në mbledhje.

Varësia nga ministri

Megjithëse konsiderohet një institucion i pavarur, Këshilli Kombëtar i Transmetimeve me Zë dhe Figurë do të ketë një kontroll politik nga ekzekutivi. Për herë të parë, në një ligj të një natyre të tillë përfshihet roli bashkëpunues dhe bashkëveprues i ministrit të Transporteve dhe Telekomunikacioneve në fushën e transmetimeve radiotelevizive. Kështu, që në nenin 4 të këtij drafti përcaktohet se “KKTZF-ja ushtron veprimtarinë e vet në përputhje me këtë ligj nën mbikëqyrjen e Kuvendit dhe në bashkëpunim me ministrin dhe AKEP-in”. Një klauzolë kjo që bën të ndërvarur veprimtarinë e një institucioni të tillë përgjegjës për veprimtarinë e mediave audiovizive në vend nga qeveria. Kompetencat e ministrit ndaj këtij organi arrijnë deri aty sa ai mund të caktojë funksione shtesë të KKTZF-së, lidhur me shërbimet e transmetimit në bazë të nevojës, duke nxjerrë një udhëzim përkatës, i detyrueshëm për t’u zbatuar nga këshilli. Gjithashtu, në nenin 16 të këtij drafti përcaktohet detyrimi për KKTZF-në për t’u këshilluar me ministrin për efekte të sektorit, lidhur me propozimet e përcaktuara në kreun për transmetuesin publik. Ndërsa në nenin 18 të këtij drafti, sanksionohet se ky institucion i “pavarur” nuk mund të përgatisë një strategji të vetën, pa marrë parasysh rekomandimet e ministrit. Madje, në këtë projektligj, kompetencave të ministrit mbi këtë institucion u është caktuar një nen i veçantë, ku theksohet se ministri mund të nxjerrë një udhëzim politikash për KKTZF-në, me qëllim rregullimin e përshtatshëm e të dobishëm të sektorit të transmetimeve dhe formulimin e politikës së zbatueshme për këtë rregullim. Nga ana e saj, KKTZF-ja duhet të marrë parasysh udhëzimin e ministrit gjatë zbatimit të funksioneve të veta. Por varësia nga ekzekutivi i këtij institucioni nuk ka të bëjë vetëm me veprimtarinë e tij, por edhe me financat, pasi KKTZF-ja mund të përfitojë financim nga Buxheti i Shtetit vetëm kur kërkesën e bën ministri. Këshilli nuk mund të marrë as hua pa lejen e ministrit. Në nenin 25 përcaktohet se kompetenca e KKTZF-sëpër huamarrje kushtëzohet nga pëlqimi i ministrit, që huaja të përdoret vetëm për qëllimet e realizimit të veprimtarive të rëndësishme, të miratuara paraprakisht prej tij.

Kohëzgjatja e reklamave ose shitjeve të drejtpërdrejta, nuk duhet të kalojë 10 minuta për një orë transmetim

Vendimi, reklama politike vetëm në fushata zgjedhore

TIRANË- Projektligji tenton të përcaktojë dhe detyrimet që do të ketë çdo transmetues, qoftë me zë apo me figurë e zë së bashku. Kështu, nisur nga influenca që kanë këta transmetues tek opinioni publik, vëmendja kryesore në këtë draft është përqendruar kryesisht te lajmet dhe reklamat, ku bëhet një ndarje e prerë midis lajmit dhe komentit të vetë operatorëve nga njëra anë dhe reklamave komerciale dhe atyre politike nga ana tjetër. Në këtë mënyrë, një transmetues detyrohet të njoftojë dhe të paraqesë lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë dhe të paanshme, duke mos shprehur pikëpamjet e veta në lidhje me lajmin, të sigurojë që trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme, duke mos shprehur pikëpamjet e veta në lidhje me lajmin. Nëpërmjet këtij projektligji synohet t’u jepet zgjidhje edhe rasteve të veçanta, siç ishte ai i konfliktit të disa muajve më parë mes qeverisë dhe Lëvizjes G99 për çështjen e reklamave me përmbajtje politike. Kështu, në këtë draft sanksionohet se transmetimi i një materiali programor nuk duhet të transmetojë reklama me qëllime politike ose që kanë lidhje me një konflikt gjyqësor. Për sa u përket reklamave politike, ato mund të lejohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore. Në këtë projektligj përcaktohet gjithashtu se kohëzgjatja e reklamave ose shitjeve të drejtpërdrejta, nuk duhet të kalojë 10 minuta për një orë transmetim.

Disa nga nenet e draftit të ri për median:

Neni 3

1. Këshilli Kombëtar i Transmetimeve me Zë e Figurë (në vijim KKTZF), është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve të programeve me zë e figurë dhe shërbimeve mbështetëse në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 4

1. KKTZF përbëhet nga Kryetari, Zëvendëskryetari dhe 5 anëtarë.

2. KKTZF -ja ushtron veprimtarinë e vet në përputhje me këtë ligj nën mbikëqyrjen e Kuvendit dhe në bashkëpunim me Ministrin dhe AKEP.

Neni 5

1. Anëtarët e KKTZF zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

2. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i propozon Kuvendit 2 kandidatura alternative për çdo vend anëtari të KKTZF -së, pas një përzgjedhjeje mes të paktën 4 kandidaturave të propozuara nga subjektet përkatëse a) nga shoqatat dhe grupimet e mediave elektronike;

b) nga shoqatat e medias së shkruar; c) nga profesorati dhe shoqatat e inxhinierisë elektrike dhe elektronike; ç) nga profesorati i së drejtës, shoqatat e juristëve dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë;

d) nga subjektet parlamentare; dh) nga organizatat jofitimprurëse që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve ose kërkimeve në politikat publike.

3. Kandidaturat e administruara, në bazë të propozimeve të mësipërme, i nënshtrohen përjashtimit një nga një deri në mbetjen e një numri që i korrespondon dy të tillave për çdo vend anëtari, të cilat i propozohen seancës plenare. Procedura e përjashtimit zbatohet sipas radhës: një nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare dhe një nga përfaqësuesit e opozitës.

6. Kuvendi, me votim të hapur, zgjedh njërin nga anëtarët e Këshillit në detyrën e Kryetarit të KKTZF -së, ndërsa Zëvendëskryetari zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve KKTZF -ja me votim të fshehtë.

Neni 6

1. Kryetari, zëvendëskryetari dhe çdo anëtar i KKTZF-së lirohet nga detyra nga organi që e zgjedh kur në mënyrë të përsëritur mbi 2 herë radhazi, me dashje ose për shkak të neglizhencës, pengon formimin e kuorumit të nevojshëm për mbledhjen e KKTZF-së.

Neni 18

Strategjia

1. KKTZF harton dhe miraton një strategji, ku pasqyron funksionet e veta ligjore.

2. Strategjia duhet të:

a) përfshijë qëllimet kyçe, përfundimet dhe strategjitë, që lidhet me përdorimin e burimeve të veta,

b) përgatitet në një formë dhe mënyrë sipas rekomandimeve qëmund të japë Ministri apo kërkesave që mund të paraqesë Kuvendi,

c) marrë parasysh nevojën për sigurimin e përdorimit sa më të frytshëm, të dobishëm dhe përfitues të burimeve të veta,

ç) duke përjashtuar strategjinë e parë, të përfshijë një studim të frytshmërisë dhe dobishmërisë të strategjisë gjatë kohës së zbatimit gjatë 2 viteve paraardhës,

d) miratohet së pari brenda 10 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dhe më tek çdo 2 vjet,

dh)marrë parasysh çdo udhëzim politikash, sipas përcaktimit të nenit 19 dhe

e) përfshijë planifikimin e KKTZF lidhur me numrin, qëllimin dhe natyrën e kontratave, që propozon për të realizuar gjatë kohëzgjatjes që mbulon strategjia.

3. KKTZF i paraqet një kopje të strategjisë Ministrit dhe Komisionit për Mjetet e Edukimit në Kuvend.

4. KKTZF për përgatitjen e strategjisë këshillohet me Këshillin e Ankesave.

5. Para miratimit të strategjisë dhe paraqitjes së saj, KKTZF ndërmerr një proceskëshillimi publik lidhur me projektin e strategjisë.

Neni 19

Udhëzimi i politikave të Ministrit

1. Ministrimund të nxjerrë një udhëzim politikash për KKTZF, me qëllim rregullimin e përshtatshëm e të dobishëm të sektorit të transmetimeve dhe formulimin e politikës së zbatueshme për këtë rregullim. KKTZF duhet të marrë parasyshudhëzimin e Ministrit gjatë zbatimit të funksioneve të veta.

2. Para se të nxjerrë udhëzimin Ministri duhet t’i paraqesë KKTZF-së një projekt të udhëzimit. Bashkëngjitur projektit të udhëzimit Ministri duhet të paraqesë arsyetimin e tij dhe afatin brenda të cilit mund të realizohet paraqitja e propozimeve nga subjektet e interesuara, afat i cili nuk mund të jetë në asnjë rast më pak se 30 ditë.

3. Pas marrjes se propozimeve të përcaktuara në pikën 2, Ministri nëse vlerëson se udhëzimi i tij mund të ketë lidhje me fushën e kompetencave e ndonjë anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave, merr mendimin e këtij të fundit lidhur me përmbajtjen e udhëzimit para se të nxjerrë atë.

4. Ministri nuk mund të nxjerrë një udhëzim lidhur me ushtrimin e kompetencave të KKTZF apo Këshillit të Ankesave, në përgjithësi apo në lidhje me ndonjë subjekt të caktuar.

5. Udhëzimi i paraqitet sapo të jetë përfunduar Komisionit për Mjetet e Informimit Publik, i cili mund të miratojë një rezolutë për mosmiratimin e tij.

Neni 24

Financimi nga Buxheti i Shtetit

Kur Ministri, në bazë të kërkesës së KKTZF-së, vlerëson se disa shpenzime të nevojshme për ushtrimin e funksioneve të KKTZF-së janë të një natyre të veçantë, mund të kërkojë miratimin e financimit të këtyre shpenzimeve nga Buxheti i Shtetit.

Këshilli i Ministrave përcakton fondin për shpenzimet e natyrës së veçantë, të përmendura në pikën 1 të këtij neni, në buxhetin e vitit pasardhës, nëse nuk ekziston mundësi për financimin më të shpejtë të tyre.

Neni 25

Huamarrja

KKTZF-ja, me miratimin e Ministrit, pas marrjes së pëlqimit nga Ministri i Financave, mund të marrë hua, me qëllim mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse.

KKTZF-ja, me miratimin e Ministrit, pas marrjes së pëlqimit nga Ministri i Financave, mund të harrë hua nëpërmjet mënyrave të përcaktuara me vendim të KKTZF-së, në bazë të propozimit të Ministrit të Financave.

Kompetenca e KKTZF-sëpër huamarrje, e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, mund të ushtrohet në lidhje me ushtrimin e funksioneve të veta, por mund të kushtëzohet nga pëlqimi i Ministrit, që huaja të përdoret vetëm për qëllimet e realizimit të veprimtarive të rëndësishme të miratuara paraprakisht nga Ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›