E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Ligji i ri për gjyqësorin forcon pavarësine e sistemit

Komisioni parlamentar i Ligjeve përfundoi dje dje një prej projektligjeve më
të rëndësishme, në kuadër të reformës në drejtësi, projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”. Gjatë një komunikimi me mediat kryetari i këtij komisioni, Fatos Beja, i konsideroi diskutimet si mjaft rezultative, profesionale dhe me shumë përgjegjësi, në interes të dispozitave ligjore për gjyqësorin shqiptar. Sipas tij ligji i ri do t'i shërbejë mirëfunksionimit të gjyqësorit shqiptar, duke forcuar në këtë mënyrë pavarësinë e gjyqtarit dhe mbrojtjen kushtetuese të tij, bazuar kjo edhe në kërkesën e bërë nga ndërkombëtarët në progres-raportin e fundit. “Me miratimin e këtij ligji, ngushtohen hapësirat për subjektivizëm, objektivizohen shumë veprime
brenda gjyqësorit dhe ulen dukshëm hapësirat që bëhen terren për korrupsion. Projektligji i diskutuar prej më shumë se një viti, ka detaje efikase, duke filluar nga rekrutimi i gjyqtarëve, deri në shtimin e disa kompetencave të Kontrollit të Lartë të Drejtësisë” - deklaroi beja. Për sa i takon rekrutimit të gjyqtarëve, kreu i komisionit të ligjeve u shpreh se baza do të jetë nga shkolla e magjistraturës, në mënyrë që gjyqësori të ketë gjyqtarë të cilësisë së lartë, ndërkohë që është lënë i hapur një shteg për ata që nuk kanë përfunduar ende ketë shkollë. “Ligji aktual e kishte të papërcaktuar këtë kriter dhe sipas tij, në krye të gjyqësorit mund të emërohej një pedagog, deputet, jurist etj, por me ligjin e ri kemi ngushtuar këtë hapësirë. Në ligjin e ri është vënë si kusht i domosdoshëm që kryetari të ketë shërbyer si gjyqtar më parë, me qëllim që të mos penalizohen ata gjyqtarë të cilët nuk kanë diplomimin përkatës”- vuri në dukje Beja. Një sërë masash të tjera, të cilat janë marrë në konsideratë nga anëtarët e këtij komisioni, janë
edhe ato të cilat lidhen drejtpërdrejt me promovimin në karrierë të gjyqtarit. Gjithashtu, siaps tij një tjetër kriter që është parë si tepër i domosdoshëm nga anëtarët e këtij komisioni, është edhe kalimi në shkallën e parë të Apelit, për të cilën është vendosur një afat shtatë vjeçar. “Elemente të tjera, të cilat janë parë si tepër të domosdoshme nga ekspertët e këtij komisioni, kanë qenë edhe lëvizja e gjyqtarit nga njëri institucion në tjetrin. Kjo do të bëhet me konkurrim dhe
do të vlerësohet me pikëzim, ndërkohë që konkurrimi do të jetë i hapur për të gjithë. Detyra e KLD-së tashmë do të jetë që çdo gjashtë muaj të paraqesë rezultatet e marra nga gjyqtarët në konkurrim. Nga ana tjetër, me ndryshimet që i janë bërë këtij ligji, Kryetari i Gjykatës do të merret vetëm me administrimin egjyqtarëve, pjesa tjetër do të kalojë në kompetencat e kancelarit. Në ligjin e ri, ndryshe nga ai aktual, shkarkimi i kryetarëve të gjykatave, bëhet nga KLD-ja, ndërsa dekretimi i kryetarëve bëhet nga Presidenti, brenda një afati kohor prej 30 ditësh.”- tha Beja. Ndërkaq, lidhur me çështjen më të debatuar, që ka të
bëjë me pagat e gjyqësorit, Beja u shpreh se ligji i propozuar i jep të drejtën gjyqtarëve të përfitojnë shumën e përcaktuar në bazë të përvojës së tij si
gjyqtar dhe me aftësinë e tij profesionale në këtë post, e cila rritet çdo vit me
dy përqind të rrogës, deri në përfundim të karrierës së tij. Ndërkohë ai shtoi se me ligjin e ri Kryetari i Gjykatës do të marrë 10 përqind mbi pagën individuale si gjyqtar i gjykatës respektive, ndërsa Kryetari i Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Apelit do të ketë deri në 20 përqind shtesë, për kushtet e rënda të punës, duke arritur në këtë mënyrë, thuajse të njëjtën kuotë me atë të ministrave. “Projektligji i ri ka bërë që Gjykata Ushtarake të shkrihet me atë të Shkallës së Parë. Ndërkohë që me miratimin e këtij ligji në parlament, ne do të kërkojmë nga qeveria ligjin për Administratën e Gjyqësorit dhe me të rënë dakort, do
ta propozojmë dhe miratojmë për t’ia bashkangjitur këtij ligji, duke patur këtu parasysh edhe bashkëpunimin që kemi me ndërkombëtarët. Fatura financiare
në buxhetin e shtetit, shkon në rreth 70 milion lekë të reja”- konkludoi ai.
Në sistemin e gjyqësorit janë rreth 260 gjyqtarë, 34 përqind e tyre janë nga Shkolla e Magjistraturës, ndërsa të tjerët janë gjyqtarë me përvojë në gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›