E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Italia, avokatja jonë për integrimin

Presidenti Topi takon Presidentin Napolitano dhe kreun e deputetëve, Xhanfranko Fini. Dy presidentët kanë diskutuar mbi situatën e fundit në Shqipëri dhe kanë vlerësuar marrëdhëniet mjaft të mira mes dy vendeve. 

ROME- Presidenti i Republikës Bamir Topi, filloi vizitën e tij në Itali me takimin me Presidentin e Italisë, Xhorxho Napolitano. Pasi kanë vlerësuar marrëdhëniet mjaft të mira mes dy vendeve, dy presidentët kanë diskutuar edhe mbi situatën e fundit në Shqipëri. Në këtë takim, Kryetari i Shtetit e njohu homologun italian me disa prej zhvillimeve më të fundit të brendshme në vend, duke vënë theksin në ecurinë pozitive të reformave kushtetuese, zgjedhore, në drejtësi, ekonomi, etj, si faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. “Ne do të mirëprisnim që Italia të ishte avokatja e Shqipërisë në mbështetje maksimale dhe intensive në procesin integrues të vendit në NATO dhe BE”, - u shpreh Topi. Ai ka ftuar biznesmenët dhe firmat prestigjioze italiane për më tepër investime në sektorë kyç për zhvillimin e vendit, si në infrastrukturë, fushën e energjetikës, të shërbimeve publike, të turizmit etj. Nga ana e tij, Presidenti Napolitano kujtoi kohët e vështira që kanë kaluar së bashku dy shtetet fqinje. “Kemi punuar shumë së bashku dhe sot bashkësia shqiptare është një nga bashkësitë më të mirë integruara në vendin tonë, pa as edhe një hije tensioni dhe paragjykimi”, - tha Napolitano. Sipas tij, “Shqipëria doli nga izolimi i saj nëpërmjet një procesi afrimi me Bashkimin Europian dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut”. Presidenti Topi e ka falenderuar homologun Italian edhe për mbështetjen ndaj çështjes së Kosovës. Presidenti shqiptar u prit edhe nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini. Kreu i shtetit shqiptar vuri në pah nevojën e liberalizmit të regjimit të vizave, duke pasur parasysh bashkësinë shqiptare në Itali, e cila është e integruar plotësisht në jetën e këtij vendi, dhe theksoi se ky liberalizim do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, do të rriste edhe shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore, etj.  Presidenti i Republikës, Bamir Topi ndodhet në Itali i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe në krye të një delegacion i përbërë nga personalitete të spektrit politik, ekonomik dhe shoqëror shqiptar.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›