E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: KQZ nuk ka më vlerë, opozita të mos ia varë ujkut mëlçitë në qafë

topi

Fryma e Re Demokratike prezantoi zyrën e shtabit elektoral, e cila do të shërbejë për të kontrolluar procesin në 12 qarqet e Shqipërisë.

Misioni i kësaj zyre është tu garantojë zgjedhësve tanë siguri të plotë për votën, tha kreu i FRD, Bamir Topi.

Kjo zyrë do të administrohet nga sekretari për çështjet zgjedhore Ervin Karamuça dhe 12 të rinj të specializuar në administrimin e të dhënave zgjedhore.

Topi tha se kjo zyrë do të jetë truri elektronik i të dhënave zgjedhore.

Nga kjo qendër do të drejtohen 12 zyra në kryeqendrat e qarqeve të Shqipërisë.

Duke iu referuar kodit zgjedhor, Topi theksoi se zgjedhjet politike nuk janë vetëm dita e 23 qershorit, ato janë një proces që nisi me hartimin kodit zgjedhor të deformuar i cili nuk i ofron shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ky kod ia lë në dorë procesin zgjedhor partive politike dhe jo shtetit dhe institucionit.

Duke iu drejtuar opozitës për përgjegjësinë që ajo ka për të mbuluar vendet vakante në KQZ, Topi tha se kryeministri është recidivist në manipulimin e zgjedhjeve.

Mos ja varni ujkut në qafë mëlçitë, që ky manipulator të mos këtë fushë të lire, u shpreh Topi.

Fakti që KQZ është jashtë loje dhe ne informohemi nga mediat për manipulimin e listave, tregon që ky institucion nuk ka më vlerë, tha Topi, i cili shtoi se FRD me zgjedhësit e saj do të marrin në dorë situatën për mbrojtur çdo votë duke iu referuar edhe shprehjes popullore: Dy duar për një kokë.

Ne kemi detyrim moral dhe politik ta mbrojmë votën e qytetarëve, ndërsa KQZ ka detyrimin ligjor, u shpreh Topi.

Kryetari i FRD i konsideroi sondazhet e fundit si të pabaza dhe të paguara me qëllim manipulimin e rezultatit zgjedhor.

Më tej, Topi u shpreh i sigurt se partia e tij është një formacion solid politik dhe se do të votohet masivisht: Kemi të dhënat tona që na bëjnë optimistë dhe do i bëjmë prezent për shoqërinë shqiptare. Do të kontrollojmë procesin zgjedhor. Ne do të orientojmë përfaqësuesit tanë edhe në komunën më të largët të Shqipërisë dhe garantojmë zgjedhësit që nuk do të ketë manipulim të votës. Do të bashkëpunojmë edhe me faktorin ndërkombëtar që do të jetë prezent në zgjedhje./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›