Kandidati Rama: Qeveria e izoloi Vlorën, ne do e rilindim
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zgjedhur ditën e nisjes së sezonit turistik për të mbajtur të parin fjalim si kandidat për deputet i qarkut të Vlorës.
Pasi u prezantua nga kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, Rama akuzoi qeverinë se ka izoluar kryeqytetin e pavarësisë.
Rama tha se PS do të bëjë për Vlorën në katër vite atë që nuk është bërë në 20 vite.
Sot është dita për fushatën e bashkisë së Vlorës për sezonin turistik. Vlora në këto vite ka ndryshuar shumë, por të gjithë e dinë se do kishte ndryshuar shumë më tepër nëse në Tiranë do kishte një qeveri që ta shihte me sytë e zemrës, të kishte sy për të parë qoftë historinë e lavdishme, qoftë të ardhmen e vendit tonë që nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Vlorës.
Ka pasur një qeveri për që vite me radhë e ka lënë të izoluar, pa një rrugë që ta lidhë me Tiranën dhe pjesën tjetër të vendit dhe Kosovën, se edhe Kosova e sheh Vlorën si gjithë Shqipëria, si kryeqytetin e shtetit shqiptar, të pavarësisë, të historisë. Pas 23 qershorit, Vlora do të ketë në Tiranë qeverinë që i duhet për të qenë në lartësinë e gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, për Vlorën e Qemalit, të qytetarëve evropianë.
Berisha ka bërë çmos për të penguar Vlorën të bëjë përpara. Ka penguar projektet e Bashkisë, ka bërë çmos që Vlora të mbetet e izoluar. Ne do ta heqim izolimin nga Vlora. Ne kemi qëllim ndërtimin e infrastrukturës me qëllim bashkimin e këtij qyteti me të gjithë qytetet e Shqipërisë.
Ne do të bëjmë me urgjencë një plan urbanistik për Vlorën, do të rindërtojmë Sheshin e Pavarësisë dhe do të realizojmë një sërë projektesh, tha Rama.
I pari në listën e kandidatëve të PS-së për qytetin e Vlorës, Rama shfrytëzoi këtë ceremoni për të bërë një sërë premtimesh për qytetin bregdetar me qëllim përmirësimin e jetës së banorëve në këtë zonë, por edhe shndërrimin e këtij qyteti në portën e Shqipërisë me vendet e Mesdheut.
Ne do t’i japim fund ndërtimeve pa leje në Vlorë dhe në të gjithë bregdetin. Do t’i japim fund abuzimeve skandaloze me pronën publike dhe në pronën private në të gjithë vijën bregdetare për të mos lejuar shkatërrimin nga dora e njeriut të këtyre dhuratave që na ka bërë Zoti dhe natyra, tha Rama./ep