Berisha: Disa ndërkombëtarë ndihmuan Ramën për bllokimin e statusit
Kryeministri për reformën: “T’i adresojmë një nga një pa asnjë lloj hezitimi, ose po të dojë, t’i marrë ato çështje të hartojë amendamente, të mos shpikë gjëra të paqena se krijimi i një realiteti që nuk është, dhe mbrojtja e një realiteti që nuk ekziston, janë absolutisht garancia më madhore për humbjen e çdo beteje”
TIRANË Në mesazhin e tij për bashkëpunim drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, për reformën zgjedhore, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se ka pasur përfaqësues ndërkombëtarë që e kanë mbështetur liderin e opozitës në përpjekjet për bllokimin, sipas tij, të kërkesës për statusin e vendit kandidat. “Nuk ndodh ndonjëherë, që një opozitë të këtë si objektiv kryesor mosvotimin e ligjeve të reformave të integrimit. Ky është rasti i veçantë. Ndaj dhe duke bërë ofertën tonë, ne iu themi qytetarëve shqiptarë se kjo është një çështje që do ta zgjidhin vetë shqiptarët. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme dhe dua t’ju them këtu, se në këto përpjekje ka pasur të atilla, që janë përpjekur me çdo kusht për të ndihmuar Shqipërinë. Ka pasur të tjera që absolutisht janë përpjekur për të ndihmuar vetëm zotin Rama dhe aspak Shqipërinë, sepse jo të gjithë e duan këtë vend. Por cili ka qenë rezultati? Rezultati i këtyre miqve të shumtë që deshën të ndihmonin Shqipërinë, për fat të keq, ishte ai për të cilin punuan, sepse zoti Rama, nuk pranoi asnjë nga sugjerimet, kurse rezultati për ata të cilët u angazhuan me të gjitha mënyrat për të ndihmuar zotin Rama, është thellësisht dëshpërues, sepse në fakt në rrafsh partiak ndihmuan Sali Berishën dhe partinë e tij”, - tha Berisha. Kryeministri dhe kryetari i PD-së deklaroi para deputetëve se ftesa e mazhorancës është e hapur, duke konfirmuar se për reformën zgjedhore, PS-ja mund t’u drejtohet me kërkesat e saj shtesë OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. “Në rast se opozita kërkon dhe dëshiron që me ekspertët e saj të hartojë të gjitha amendamentet për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe në OSBE/ODIHR, pasi të marrë opinionin e tyre, ne i votojmë pa kushte. As nuk kam lëvizur dhe as nuk lëviz nga ky pozicion. Ne i votojmë pa kushte, sepse kemi bindje se ajo që vjen nga këto institucione është brenda standardeve ndërkombëtare. Për ne, kjo është më kryesorja”, - tha ai. Arsyeja e kësaj ftese të përsëritur lidhet me disa kërkesa që PS-ja ka sugjeruar në takime informale, të cilat për PD-në konsiderohen të paqena. “T’i adresojmë një nga një pa asnjë lloj hezitimi, ose po të dojë, t’i marrë ato çështje të hartojë amendamente, të mos shpikë gjëra të paqena se krijimi i një realiteti që nuk është, dhe mbrojtja e një realiteti që nuk ekziston, janë absolutisht garancia më madhore për humbjen e çdo beteje. Uroj që këtë ftesë të sinqertë ta pranojë në interesin më të mirë të vendit, por edhe të tyre”, - tha ai. Berisha ka kërkuar që partitë të ulen në kushte pariteti nga ku zgjidhjet të vijnë sipas Kushtetutës. “KQZ, KZAZ, KQV dhe Komisioni i Numërimit, janë të gjitha produkte akordi ndërpartiak të domosdoshme. Të përpiqesh të transpozosh këtë koncept në shtetin në tërësi, kjo dëshmon se ke probleme serioze konceptesh për shtetin”, - tha ai.
N.P