Topi Kosova ceshtje e mbyllur

Gjatë Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, presidenti Bamir Topi u takua me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç.
Gjatë një interviste për Top Channel, kreu i Shtetit deklaroi se marrëdhëniet me Serbinë përbëjnë prioritet me rëndësi të politikës rajonale të Shqipërisë, e cila synon të ndërtojë raporte të mira dhe konstruktive, në interes reciprok të dy vendeve.
“Kjo është vizita ime e parë në Serbi, por në kuadrin e një takimi rajonal të presidentëve të Evropës Juglindore organizuar nga UNESCO, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian dhe sikurse u pa në takim nga presidentët u trajtua pikërisht nevoja që politika të mësojë nga tradita e popujve. Unë pata edhe një takim edhe me presidentin Tadiç dhe janë diskutuar mjaft tema të rëndësishme që i takojnë marrëdhënieve bilaterale midsi Shqipërisë dhe Serbisë. Është një takim që unë e konsideroj të rëndësishëm, të mirëpritur sepse edhe Shqipëria edhe Serbia janë dy vende shumë të rëndësishme në rajon kanë nevojë të çtensionojnë marrëdhëniet midis tyre, të rrisin nivelin e bashkëpunimit institucional, të rrisin marrëdhëniet e karakterit ekonomik, të çlirohen nga paragjykimet që tashmë i takojnë së kaluarës dhe t’i hapin rrugëve popujve që të jetojnë në një rajon të qetë”, është shprehur Topi.
Përsa i takon Kosovës, Topi theksoi se “çështja e statusit dhe kufijve është përfundimisht e mbyllur”.
“Kemi trajtuar çështje që i përkaisn Kosovës. Unë kam mbajtur një qendrim që tashmë dihet qendrimet që mbajnë institucionet e Shqipërisë, realiteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, është një shtet i cili me të gjitha problemet që konsiderohen për t’u trajtuar me Serbinë do të trajtohen pikërisht nën kujdesin e Bashkimit Evropian, probleme të karakterit teknik që nisen nga pozocione të qarta të dy vendeve të pavarura dhe sovrane. Padyshim qendrimi i presidentit Tadiç është ndryshe, por unë besoj që njohjet e vazhdueshme që vijnë nga vende të ndryshme, e bëjnë Kosovën një vend i cili të ardhmen e ka sikurse edhe vendet e tjera të rajonit në BE në një rrugë të pakthyeshme”, theksoi Topi.