E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Krasniqit: Mbështesim Kosovën

Presidenti Bamir Topi, theksoi sot gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, se Shqipëria ka mbështetur fuqishëm dhe do të mbështesë Kosovën politikisht në arenën ndërkombëtare.
Presidenti Topi, duke e vënë theksin tek fakti që "Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme", e siguroi kreun e Kuvendit të Kosovës se Shqipëria ka mbështetur fuqishëm dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën politikisht në arenën ndërkombëtare që më shumë vende ta njohin atë, por dhe në forcimin e rritjen e institucioneve të saj, si objektiv thelbësor për konsolidimin e Kosovës si vend i pavarur.
Presidenti Topi nënvizoi vullnetin për rritjen e këmbimeve tregtare midis dy vendeve, që do të kenë mundësi më të mëdha pasi të përfundohet plotësisht dhe rruga nga Durrësi në Morinë dhe më pas deri në Prishtinë.

Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të të gjitha institucioneve shqiptare në funksion të konsolidimit të pavarësisë, por njëkohësisht vërejti se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të shtetit të ri dhe njohjes në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, z. Krasniqi garantoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›