Topi: Lidhja e Prizrenit datë e lavdishme për kombin shqiptar
Tiranë- Kreu i shtetit Bamir Topi me anë të një mesazhi publik ka përshëndetur 134-vjetorin e mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit. Në mesazhin e tij Topi shprehet se kjo datë ka një vlerë të veçantë në historinë e kombit.
Sipas Topit, kjo datë e lavdishme përcaktoi në mënyrë të qartë bashkimin e ideve e përpjekjeve për çlirim dhe mëmvetësi si dhe të ardhmen e kombit tonë.
Historia shumëshekullore e mbarë popullit shqiptar ka qenë e tejmbushur dhe e karakterizur nga një kalvar i pafund sakrificash, luftërash dhe aspiratash, por Lidhja e Prizrenit, ashtu si dikur Besëlidhja e Lezhës në kohën e lavdishme të Skënderbeut, shënoi një nga pikat më kulmore të ekzistencës moderne të kombit tonë me një bashkim idesh, përpjekjesh dhe veprimesh të bashkërenduara për liri dhe bashkim, shprehet Topi në mesazhin e tij.
Topi shton se kjo datë duhet të shërbejë si një burim frymëzimi atdhetar për brezat e sotëm të shqiptarëve dhe ata që do të vijnë më pas.
Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në një kohë kur shqiptarët si komb, në shtete të ndryshme të rajonit ku fati i hidhur i historisë i detyroi të jetojnë të ndarë nga trungu i vendit amë, janë të orientuar drejt integrimit me dinjitetet dhe me vlerat tona të spikatura në strukturat euro-atlantike, dëshiroj tju uroj gëzuar 134-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit!, përfundon mesazhin e tij Presidenti i Republikës, Bamir Topi.