134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit, nis festa
Prizren- Shënohet sot 134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Në qytetin historik, kanë nisur që dje veprimtaritë e festimeve të përvjetorit të 134-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Me ekzekutimin e himnit kombëtarë dhe atij shtetërorë të Kosovës manifestimet kulmuan me manifestimin qendror në orën 11:00, në ndërtesën ku dhe u mbajt Lidhja e Prizrenit 134 vite më parë, ku mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.
Aktivitetet e sotme nisën në orën 10:00 me një Seancë Solemne tek Shtëpia e bardhë. Pas Manifestimit Qëndror tek Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, zhvillohet Ora e Lidhjës në orën 12:00 tek Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Gjithashtu pjesë e festimeve do të jetë edhe AKB Javët e Biznesit Kombëtar si dhe një ekspozitë artistike – (Hamami). Në orën 13:00 do të zhvillohet Festivali Bunar-Fest dhe koncert rock.
Por aktivitete do të ketë edhe për të apasionuarit pas leximit, teksa në orën 13:00 do të mbahet sesioni letrar- Letërsia shqipe dhe Pavarësia Kombëtare tek Shtëpia e Kulturës.
Në orën 16:30 do të zhvillohet një Koncert Simfonik nga RTK dhe RTSH tek Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa në orën 18:00 tek Pallati i kulturës në Kukës do të mbahet shfaqja Valët e Drinit.
Gjithashtu në orën 18:00 do të zhvillohet Koncerti Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shota dhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Në orën 19:00 do të mbahet Koncerti tradicional festiv i SHKA Agimi tek Shtëpia e Kulturës, ndërsa gjithçka do të mbyllet me festivalin për të rinjtë Rock Live në orën 20:00.