E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Mesic: Vendet tona bashkëpunim në të gjitha fushat

Pas anëtarësimit në NATO, Kroacia dhe Shqipëria duhet që ta zhvillojnë tani bashkëpunimin jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në atë të ekonomisë dhe në shumë fusha të tjera” kështu deklaruan sot presidenti kroat, Mesiç dhe homologu i tij, Topi. 

ZAGREB – “Pas anëtarësimit në NATO, Kroacia dhe Shqipëria duhet që ta zhvillojnë tani bashkëpunimin jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në atë të ekonomisë dhe në shumë fusha të tjera” kështu theksuan sot presidenti kroat, Stipe Mesiç dhe homologu i tij , Bamir Topi, i cili ndodhet në Zagreb, në kuadër të një vizite zyrtare.

"Marrëdhëniet tona janë të mira në të gjitha nivelet ndërkohë që tani duhet të përqëndrohemi më shumë në fushën ekonomike", deklaroi Topi.
Presidentët ranë dakord edhe për faktin se Kroacia dhe Shqipëria e kanë përqëndruar vëmendjen e tyre në përpjekjet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve në vend duke u ndalur në ecurinë e disa prej reformave më të rëndësishme të ndërmarra në fushën e drejtësisë, të ushtrisë, ekonomisë, me objektiv përmbushjen e standardeve integruese në Bashkimin Evropian.

Presidenti shprehu dhe interesimin e palës shqiptare për më tepër investime kroate në sektorë strategjikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, përfshi këtu dhe fushën e energjetikës. “Një kontribut real në këtë drejtim”, - vuri në dukje Presidenti Topi, - do të ishte liberalizimi i vizave, që do krijonte afërsi dhe mundësi të reja për bashkëpunimin mes dy vendeve e popujve tanë, duke krijuar lehtësi ndaj barrierave të ndryshme administrative, ekonomike, etj.” Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit rikonfirmoi dhe një herë idenë dhe vullnetin e mirë për krijimin e një shengeni ballkanik.
Nga ana e tij, Presidenti kroat Mesiç shprehu bindjen në thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›