E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi; Misioni i EULEX-it, duke respektuar pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, apelon nga Ohri i Maqedonisë se shteti i ri i Kosovës ka nevojë të inkurajohet duke u bërë pjesë e nismave dhe takimeve rajonale. Ky është dhe reagimi zyrtar i Shqëipërisë për problemet që po has kohët e fundit vendosja e misionit të BE-së, ndërkohë që OKB-ja ka propozuar një plan të ri i cili anashkalon pavarësinë e Kosovës. Por, para homologëve të tij rajonalë, Topi dje vuri në dukje se procesi i zbatimit dhe shtrirjes së EULEX-it nuk duhet të zvarritet, por, duke kërkuar që të vlerësohet realiteti i pakthyeshëm i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Misioni, sipas z. Topi, duhet të ketë karakter të barabartë, integral dhe gjithëpërfshirës dhe t’i shërbejë unifikimit të shoqërisë kosovare drejt integrimit të vendit në BE dhe NATO. Duke folur në forumin ekonomik të Ohrit, Topi theksoi se realiteti i ri gjeopolitik në Ballkan është pjesë e proceseve integruese. "Procesi i zbatimit të shtrirjes së EULEX-it, jo vetëm nuk duhet të zvarritet, por edhe duhet të vlerësojë realitetin e pakthyeshëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës", - u shpreh z. Topi.

Kriza ekonomike

Njëherësh, z. Topi foli dhe për politika të përbashkëta ballkanike kundër krizës ekonomike globale. Presidenti shqiptar, i ftuar në Forumin Rajonal të Ekonomisë për Evropën Juglindore që po zhvillohet në qytetin e Ohrit në Maqedoni, u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të këtij forumi të bashkëpunojnë, si e vetmja mënyrë për të përballuar ndikimin e krizës globale financiare, të energjisë dhe rrezikut të rënies ekonomike. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se nxitja e bashkëpunimit bën të mundur që ekonomia e çdo vendi t’i rezistojë “këtij shoku ekonomik që po kalon bota mbarë”. Duke kujtuar thënien e një ekonomisti të shquar amerikan i cili pasi kishte studiuar pasojat e krizës së naftës në vitet ‘70 kishte arritur në konkluzionin se “niveli i jetesës së çdo kombi me të cilin ne kryejmë shkëmbimet tona duhet të na preokupojë seriozisht”, Presidenti Topi shtoi se “marrëdhëniet ekonomike mes vendeve ende kanë pengesa, që frenojnë zhvillimin e tregtisë së lirë”. Ai evidentoi qartë se “përpjekjet e secilit nga vendet tona për të tërhequr investimin e huaj direkt, u përfshinë në një “luftë vrasëse” të ofertave, të cilat u influencuan, gjithashtu, nga diferencat e krijuara nga çmimi dhe pozicioni monopol i infrastrukturës fizike të energjisë elektrike, ndërtimi i së cilës për disa vende kërkon shumë para dhe kohë”. Në këtë rast Presidenti përmendi rastin e Shqipërisë si “viktimë” të kësaj situate. Kryetari i shtetit shqiptar foli dhe për bashkëpunimin rajonal për energjinë. Z. Topi bëri thirrje për plane konkrete bashkëpunimi me projekte, afate dhe financime të sigurta të cilat do të zvogëlonin konkurrencën e pandershme si dhe do ta bënin më të lehtë dhe më të lirë shkëmbimin e energjisë, të mallrave dhe të shërbimeve brenda dhe përtej rajonit. Presidenti Topi përmendi në fjalën e tij investimet që Shqipëria po ndërmerr për të përballuar presionin që po shkakton kriza ndërkombëtare e energjisë siç janë ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi (një projekt i tillë ekziston si ide edhe me Maqedoninë). Gjithashtu, në vitin 2009 Shqipëria do të investojë për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Presidenti Topi bëri thirrje për zhvillimin e një konkurrence të lirë dhe të ndershme në tregun rajonal ku konkurrentët kryesorë të mos jenë vetëm disa biznese dhe markat e ndryshme të tyre, por të gjithë tregtarët dhe markat e tyre. “Kjo, - vijoi Topi, - do të ishte zgjidhja më e mirë, sepse do t’i përfshinte më tej vendet tona në proceset e ekonomisë botërore, duke zgjeruar më tej kooperimin në kuadër të CEFTA-s, duke i lejuar secilit prej vendeve tona sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme, për shkak të lirisë së gjerë ekonomike që siguron kooperimi dhe specializimi në fusha të caktuara ku çdo vend i ka të gjitha mundësitë të prodhojë produktet më të mira”.

Berisha takon përfaqësuesit e LDK-së, Ferhati dhe Haziri

Kryeministri Berisha takoi dje z. Fadil Ferhati, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe z. Lutfi Haziri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së. Z. Berisha dhe përfaqësuesit e LDK-së diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Kryeministri Berisha e njohu z. Ferhati dhe z. Haziri me procesin e reformave të gjithanshme në Shqipëri dhe me arritjet e tyre që e afrojnë vendin çdo ditë e më shumë me standardet e BE-së. Përfaqësuesit e LDK-së i shprehën Kryeministrit Berisha falënderimet për mbështetjen dhe kontributin e tij dhe të qeverisë shqiptare për Kosovën. Ata shprehën gjithashtu vlerësimet për reformat e qeverisë shqiptare dhe progresin e shënuar në këtë drejtim.

Axhenda 8-orëshe e Berishës në Shkup

Kryeministri Sali Berisha do të udhëtojë sot drejt Maqedonisë ku do të marrë pjesë në përvjetorin e 100-të të Kongresit të Manastirit. Axhenda e vizitës së delegacionit të Republikës së Shqipërisë të kryesuar nga Kryeministri z. Sali Berisha në Shkup do të nisë në orën 12:00 me takimin mes dy kryeministrave, Berisha dhe atij të Republikës së Maqedonisë, z. Nikolla Gruevski. Më pas, në orën 17:00, z. Berisha do të takohet me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti (hotel “Aleksandar Pallas”).

Gjysmë orë më vonë, Kryeministri shqiptar do të ketë një takim tjetër me kryetarin e PDSH-së, z. Menduh Thaçi (hotel “Aleksandar Pallas”). Axhenda e z. Berisha në Shkup do të vijojë në orën 18:00 me takimin me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi (“Aleksandar Pallas”). Kurse një orë më pas, në 19:00, Berisha merr pjesë në “Akademinë Solemne me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit” (Shtëpia e Armatës së Shkupit).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›