E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i Ri Zgjedhor PD, PS: Fiton më i forti



Cila parti përfiton më shumë nga reforma zgjedhore, sistemi elektoral dhe harta e re ndarjes së mandateve? E nëse me një vështrim të parë në hartën e re zgjedhore duket se përfiton e majta, duke parë se pikërisht nga bastionet e saj historike dalin më shumë deputetë, ekspertët thonë të kundërtën, pasi sipas tyre është sistemi i ri zgjedhor ai që i rrëzon bastionet e dikurshme. Të dyja palët që punuan dhe në fund miratuan Kodin e ri Zgjedhor, e vënë theksin pikë së pari tek risia që sjell ky kod që për herë të parë ndërtohet mbi një sistem të ri elektoral, ku votat do të shkojnë vetëm për partinë dhe jo për kandidatët. E në këtë prizëm, PD e PS e shohin luftën e re politike dhe elektorale mes tyre si një garë me kushte të barabarta ku do të fitojë më i forti.

Ferdinand Xhaferaj: Ndarja e re, Shqipëria, bastion i së djathtës

Përmes investimeve të qeverisë dhe pavarësisht ndarjes së re territoriale, aspak favorizuese për PD-në, partia në pushtet synon që deri në zgjedhjet e 2009-ës, ta kthejë të gjithë Shqipërinë në një bastion të së djathtës. Këtë bindje ka deputeti i PD-së, z. Ferdinand Xhaferaj, teksa tregon për “standard” avantazhet dhe disavantazhet e Kodit të ri Elektoral i sapomiratuar në Parlament nga dy forcat kryesore politike në vend. Z. Xhaferaj beson se PD-ja ka një elektorat gjithnjë në rritje edhe në jug të vendit, ku janë të përqendruara dhe numri më i madh i zonave elektorale për zgjedhjet e 2009-ës. Z. Xhaferaj shpjegon arsyet pse PD-ja ishte në një linjë me PS-në për Kodin e ri Elektoral. Sipas tij, kjo mazhorancë për herë të parë në procesin e hartimit të reformës zgjedhore, i ofroi të gjithë konsensusin dhe hapësirat opozitës duke i dhënë besueshmëri se do kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Kjo, për faktin e thjeshtë, sepse kemi bindjen se kodi ndihmon për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa rezultatin e zgjedhjeve e vendosin qytetarët”, - u shpreh deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj. Ai argumenton qartë se “ne në këto katër vite jemi përpjekur dhe kemi investuar që e gjithë Shqipëria të konsiderohet bastion i të djathtës”.

Bisedoi: Valentina Madani

Z. Xhaferaj, tashmë kemi një realitet të ri zgjedhor me miratimin e dy partive kryesore në vend, por PD-ja, e ndien veten më të favorizuar apo më të dëmtuar nga ndarja e re administrative?

E djathta mund të thuhet se është më e favorizuar, sepse më në fund me kodin e sapomiratuar hodhëm themelet për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne jemi të favorizuar sepse vendosëm një cilësi të re dhe një standard të ri në përgatitjen e zgjedhjeve. Duke i dhënë të gjitha hapësirat opozitës jo vetëm në zgjedhjen e sistemit elektoral, por edhe në përcaktimin e procedurave që i japim besueshmëri opozitës tek procesi elektoral, kjo mazhorancë investoi për të ndërtuar një infrastrukturë solide që në Shqipëri të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme në akordancë të plotë me nivelet evropiane ku vendi pritet së shpejti të ankorohet.

Pse vendosi PD-ja pikërisht për një kod të tillë zgjedhor me PS-në, ku duket fare qartë se nuk është e favorizuara për një mandat tjetër qeverisës?

Për faktin e thjeshtë sepse prioriteti ynë mbeten standardet e reja që duhet të realizohen në këtë vend; mbasi vendosëm një standard të ri për nivelin e të ardhurave dhe mënyrën se si administrohen shpenzimet; pasi vendosëm një standard të ri për pagat dhe pensionet.; pasi vendosëm një standard të ri edhe për investimet në infrastrukturë; pasi vendosëm një standard të ri lidhur me cilësinë dhe thjeshtësinë e komunikimit të biznesit me administratën tatimore. Kjo mazhorancë për herë të parë në procesin e hartimit të reformës zgjedhore i ofroi të gjithë konsensusin dhe hapësirat opozitës duke i dhënë besueshmëri se do kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo, për faktin e thjeshtë, sepse kemi bindjen se kodi ndihmon për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa rezultatin e zgjedhjeve e vendosin qytetarët.

Si do ndikojë tek e djathta ndarja e zonave elektorate, ku pjesa më e madhe e deputetëve zgjidhen në jug të vendit?

Ne i dhamë të gjithë aksesin dhe besimin e nevojshëm opozitës, sepse mbetemi të bindur që zgjedhjet nuk mund të fitohen me mekanizmat se si ndahen zonat elektorale, por thjesht me mënyrën se si dha sa je përpjekur për t’u shërbyer qytetarëve kudo që ata janë, në jug apo veri të vendit.

...Megjithatë, kjo ndarje rrezikon fitoren e së djathtës në zgjedhjet e 2009-ës, nisur nga fakti se veriu që konsiderohet bastion i së djathtës, ka më pak zona elektorale sesa jugu i vendit apo jo?

Ne në këto katër vite jemi përpjekur dhe kemi investuar që e gjithë Shqipëria të konsiderohet bastion i të djathtës. Pagat, pensionet dhe investimet në infrastrukturë janë bërë për të gjithë qytetarët shqiptarë në veri dhe jug të vendit. Kështu, ndërsa kjo qeveri po investon për të bërë rrugën Durrës-Kukës, po kështu po investon edhe për rrugën Lushnjë-Fier dhe Levan-Tepelenë. Po kështu, po investon e dhe për aksin turistik të jugut të vendit.

A ka PD-ja ndonjë strategji konkrete për të futur sa më shumë deputetë në Kuvendin e ardhshëm? Konkretisht, cili është synimi i së djathtës për zgjedhjet e 2009-ës?

Strategjia jonë e vetme, e pandryshueshme dhe e panegociueshme është t’i shërbejmë qytetarit si në veri dhe jug të vendit. Jemi të qetë, sepse këto tri vite kanë dëshmuar se ne erdhëm për të bërë shtetin, ndërsa kolegët tanë të opozitës për tetë vite dëshmuan se ishin për të shpërdoruar pushtetin. Buxheti që kaluam së fundi në Parlament dëshmon se sa serioze, sa e përkushtuar dhe sa rezultative ka qenë kjo qeveri në punën e saj për t’i shërbyer qytetarit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›