Topi: Ndezim motorët për rotacionin politik
Kreu i FRD nis takimet në të gjitha zonat e vendit
Fryma e Re Demokratike zhvilloi dje mbledhjen e parë të grupit nismëtar nën drejtimin e kryetarit të ri të kësaj force politike, Bamir Topi. Në fjalën e tij, ish-presidenti theksoi se kjo forcë politike po përgatitet me intensitet të plotë për zgjedhjet parlamentare të 2013-s, dhe për këtë arsye brenda muajit shtator çdo qytet në vend do të ketë selinë e FRD-së. Topi ka përdorur në këtë mbledhje fjali motivuese për stafin themelues të kësaj partie, si motorët e fushatës janë ndezur dhe ne do të triumfojmë, të cilët kanë si qëllim të tregojnë se FRD-ja është e gatshme për sfidën e rëndësishme të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Ish-kreu i shtetit, Bamir Topi, ka theksuar se ai do të kthehej në politikën aktive si misionar për të kontribuar në rotacionin politik që duhet të ndodhë në vend përmes zgjedhjeve. Tashmë në krye të FRD-së, Topi pritet ta zbatojë këtë premtim që ka marrë dhe deklaruar. Por, nga ana tjetër, ai duket se ka nevojë për aleatë. Në ditët në vijim, përveç zgjerimit të FRD-së me anëtarë dhe me degë në të gjithë vendin, Topi pritet të konkretizojë edhe aleancat e mundshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Koalicionet kanë një rëndësi të madhe për sa i përket ruajtjes së votave për secilën parti që merr pjesë.
Topi: Ndezim motorët për rotacionin politik burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip