Topi: Nisja e menjëhershme e dialogut

“Në këtë situatë të stërzgjatur ngërçi politik, është e domosdoshme ulja e tensionit politik dhe nisja e menjëhershme e dialogut politik institucional mes palëve dhe gjetja e vullnetit të sinqertë për kryerjen e reformave shumë të rëndësishme si ajo zgjedhore, në sistemin e drejtësisë, etj, që do të mundësonin vazhdimin e rrugëtimit integrues evropian të vendit dhe do të shërbenin si provë pjekurie e klasës politike shqiptare para bashkësisë ndërkombëtare.” Kështu ka deklaruar presidenti Bamir Topi, i cili zhvilloi sot paradite një takim pune me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sequi.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sequi, vuri në dukje faktin se “Shqipëria nuk i ka plotësuar 12 përparësitë të kërkuara nga Evropa e Bashkuar, prandaj për është shumë e rëndësishme që si mazhoranca ashtu edhe opozita të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, përndryshe perspektiva evropiane e vendit tonë rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave madhore të popullit shqiptar.”
Gjithsesi, theksoi Ambasadori Sequi, Bashkimi Evropian dhe institucionet e saj mbeten të gatshme jo vetëm të japin ndihmesën dhe përkrahjen e tyre në drejtim të kryerjes së reformave të nevojshme dhe gjetjes së vullnetit të munguar, por edhe t`i ripërsërisin me forcë kritikat dhe vërejtjet e tyre, me synim që klasa politike shqiptare t`i rikthehet përparësisë së axhendës integruese evropiane.