E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 8 majit

Kreu i shtetit Bamir Topi ka takuar sot Drejtorin Rajonal për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, zotin Daniel Fërn, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Presidenti Topi në takimin me Fërn bëri një përshkrim të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri dhe të arritjeve në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të pavarësisë së tyre si dhe të shtetit të së drejtës, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së suksesshme të zgjedhjeve të ardhshme vendore të 8 majit 2011, të cilat duhet të gëzojnë pjesëmarrje masive, të jenë të drejta e të ndreshme dhe rezultatet e tyre të administrohen me korrektesë.
Duke e njohur zotin Daniel Fërn me disa prej arritjeve të vendit tonë në rrugën e reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Kryetari i shtetit nënvizoi domosdoshmërinë se përmbushja e standardeve integruese është një detyrim për shtetin shqiptar në shërbim të interesave dhe aspiratave madhore të popullit shqiptar.” Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, sidomos duke pasur parasysh trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit dhe zvarritjen e papranueshme të procesit gjyqësor të saj, në mënyrë që “qytetarëve shqiptarë t’u rikthehet plotësisht besimi tek drejtësia.”

Në takim Kryetari i Shtetit shqiptar vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe e të vazhdueshme që i është dhënë vendit dhe popullit tonë nga “një vend historikisht mik, aleat dhe një partner strategjik” për përparimin e proceseve integruese euro-atlantike.


Drejtori Rajonal për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, zoti Daniel Fërn, pasi vlerësoi rolin kyç dhe jetësor të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, e siguroi Kreun e shtetit shqiptar mbi mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar dhe institucioneve të saj për konsolidimin e demokracisë shqiptare, për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura kushtetuese. Drejtori Rajonal për Ballkanin Perëndimor, zoti Fërn vuri në dukje besimin e plotë e të palëkundur në integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duke përmbushur të gjitha standardet e rekomanduara nga Komisioni Evropian në nëntorin e vitit 2010.

Gjatë takimit Presidenti Topi dhe zoti Fërn ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket realitetit të ri dhe të qëndrueshëm në Ballkan, sidomos pas shpalljes së shtetit të pavarur, demokratik e shumë-etnik të Kosovës dhe rëndësisë së bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes vendeve të rajonit, me synim integrimin e plotë në gjirin e familjes evropiane dhe strukturat euroatlantike.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›